Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ashtu siç paralajmëroi një javë më parë, ka nisur një operacion në shkallë të gjerë në kontrollin e lumenjve, burim, shtrat dhe grykëderdhje, lidhur me menaxhimin mjedisor.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur aksionin për prishjen e 14 objekteve përgjatë lumit Erzen. Sipas IKMT, këto objekte përmes aktivitetit të tyre ndotin në vijimësi lumin dhe brigjet e tij.
“Objektet, që janë kryesisht të destinuara për aktivitetet e peshkimit, nuk kanë as dokumente të rregullta”, thuhet në njoftimin e IKMT-së.
IKMT thotë se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të vijojë pandërprerë aksionin në gjithë vendin, në mbrojtje të mjedisit duke ndëshkuar çdo shkelje.
Mediat kanë denoncuar situatën e rëndë, në basenet e lumit Tirana, Ishëm, përroit të Arbanës ishin mbushur me mbetje spitalore, plastikë dhe inerte, prokuroria e Tiranës nisi hetimin dhe kërkoi me shkresë urgjente nga pushteti lokal përgjigje.