Vetëm dy muaj më parë ishte një djerrinë që shërbente si parkim automjetesh, ndërsa tani është shndërruar në një nga këndet më të bukura të Tiranës, si për fëmijët që luajnë, edhe për të moshuarit që kalojnë kohën. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e ambasadës çeke, përfundoi punën për këndin rekreativ në sheshin “Bajram Curri” në Njësinë 7.
 
“Kur erdhëm ambasadori po më pyeste se herën e parë këtu nuk kishte fëmijë, po tani nga dolën gjithë këta!? Kjo është mrekullia e ndërtimit urban dhe infrastrukturës e këndeve të lojërave. Sa krijohet një hapësirë, dalin të gjithë fëmijët! Do të thotë që fëmijët, qytetarët, janë aty dhe ka ardhur koha që të kemi më shumë terrene të tilla për të lënë telefonin, kompjuterin, televizorin, për të kaluar më shumë kohë në natyrë dhe në ajër të pastër.”
 
Veliaj bëri të ditur se projekti i ndërtimit të këndeve rekreative do të vazhdojë në çdo lagje.
 
 “Më vjen mirë që e mbyllëm këtë muaj me këndin e 25 të lojërave, për të vijuar po në këtë zonë edhe me dy-tre të tjerë, edhe me fushat e basketbollit. Jam shumë i lumtur me mënyrën se si një premtim për të bërë një kënd lojërash tek Liqeni, pastaj nga një në çdo njësi, sot i ka tejkaluar pritshmëritë tona dhe do të doja që nën shembullin e ambasadës çeke, edhe të tjerë që duan të na japin një dorë, të ndajmë kostot, gjysmën Bashkia, gjysmën donatori, e të vazhdojmë kështu.”
 
Investimi për jetëzimin e sheshit “Bajram Curri” ka bërë të mundur rikualifikimin e zonës, përmes shtimit të gjelbërimit, ndriçimit dhe ndërtimit të infrastrukturës çlodhëse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re