Mjeku Dhimitër Kraja ka treguar pse mori vendimin për të lënë rehatinë si pensionist e të bashkohej me kolegët në frontin e luftës kundër koronavirusit.

Ai ka deklaruar se e kishte për detyrë ta bënte diçka të tillë. Kraja kërkoi nga qytetarët që arritjet e deritanishme në shifra të mos hidhen poshtë vetëm pse nuk tregohen të kujdesshëm.

“E ndjeva që e kisha për detyrë të bashkohesha me stafin që po bënin një punë shumë të vështirë, të paparë ndonjëherë. Kam nderin që u jam riatashuar për këtë problem kolegëve të mi. Asnjë person nuk ka ngelur pa marrë ndihmën siç i takonte. Deri tani nuk pati ngjarje të rënda, nuk pati shifra të mëdha, komplikacione të jashtëzakonshme, nuk pati raste që nuk ju dha ndihma. Kjo është një arritje dinjitoze e Shqipërisë, e mjekësisë shqiptare dhe gjithë sistemit antipandemik të Republikës së Shqipërisë. Këto arritje nuk duhet të prishen se filloi të hapeshin, të çliroheshin nga kufizimet, të dalin siç po shikojmë këto ditë që turma njerëzish dalin pa maska, nuk respektohet distancimi social. Kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm.”

Mesazhin e tij e shpërndau kryeministri Edi Rama në “Facebook”, i cili falnderoi mjekun për ndihmën e dhënë.  

“MIRËMËNGJES😊 dhe me këtë dëshmi frymëzuese të profesorit të nderuar Dhimitër Kraja, i cili u rikthye nga pensioni si vullnetar, u infektua dhe pasi e mundi armikun, u rikthye sërish krah kolegëve në frontin e luftës përballë Armikut të Padukshëm, ju uroj një ditë të mbarë🙏”

Dhimitër Kraja ishte një nga mjekët që edhe u infektuan gjatë betejës me COVID-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re