Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe disa ish zyrtarë të tjerë janë arrestuar ditën e sotme me urdhër të SPAK.

 

Dako akuzohet për korrupsion, lidhur me një pallat të ndërtuar në qendër të qytetit, i cili u dëmtua gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019. Hetimet për të erdhën pas denoncimit që bënë banorët e pallatit në SPAK.

 

Në mars 2023 ish kryebashkiaku i Durrësit u thirr në SPAK për tu marrë në pyetje lidhur me dosjen e hapur për dhënien e lejes së ndërtimit të 11 viteve më përpara, për një pallat i cili u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019. Në atë kohë, ai u mor në pyetje për rreth tre orë nga prokurorët.

 

Por emri i Vangjush Dakos është lakuar në disa afera të mëdha korruptive.

 

Kujtojmë se në 30 korrik 2019 Departamenti i Shtetit vendosi ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako në listën e personave që u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen.

 

Në njoftim theksohej se arsyeja e kësaj mase është përfshirja e tij në raste të mëdha korrupsioni.

 

Sipas ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste të mëdha korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë, i ndalohet hyrja në Amerikë.

 

Po ashtu Dako në vitin 2017 u përfshi në dosjen “e famshme”, “Dosja 339”, me përgjimet për dyshime për shitblerjen e votës në zgjedhjet e qershorit atij viti, si dhe bashkëpunimin me grupin Avdylaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re