Nga Esiona Konomi

Mik të posaçëm, e quajti Edi Rama kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti,  të cilin e priti këtë diel në një drekë punë në Tiranë.

Shefi i qeverisë shqiptare i kërkoi homologut të vazhdojë përpara në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”.

Kurti u prit edhe nga Presidenti Bajram Begaj.

Sic pohon zyra e shtypit e kreut të shtetit, Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

Mbështetjen për marrëveshjen e Ohrit, kryeministrit kosovar ja dha edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Nga lidershipi opozitar, duke mos dashur të mbajë anë në konfliktin e brendshëm të PD-së, Albin Kurti futi në axhendë vetëm një takim me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re