Me siguri që secili nga të lindurit para ’90-ës ka të paktën një imazh të fortë në memorien e tij nga gangsterët e vitit 1997 që lëviznin nëpër qytete të pashqetësuar nga shteti me kallashnikovë apo edhe mitralozë të lehtë në dorë shpesh. Ata që binin më shumë në sy, ishin të ashtuquajturit “kapot” e zonave, që në mënyrë demonstrative tregonin forcën duke qarkulluar të rrethuar nga “ushtarët” e armatosur mirë. Atëherë ishte koha që ende Shqipëria kishte një numër të vogël makinash, por këta zotëronin shumë të tilla, madje në periudhën e anarkisë totale kishin deri edhe blinda ushtarakë.
Qyteti apo zona ku këta vepronin ishte “toka e tyre”.. Gjithçka ishte e tyre dhe qytetarët jetonin nën terrorin e tyre. Nëse ata i kërkonin para, sende me vlerë, pronën, ishin të detyruar thjesht t’ja lëshonin, në të kundërt askund nuk mund të kërkonin ndihmë, pasi vetë shteti ishte rrënuar. Këta ishin “Rambot” e ’97-ës. Plaçkisnin pë të keq qytetarë e biznese dhe këto krime i kryenin ditën për diell. Madje në mënyrë demonstrative dhe kujdeseshin që lajmi të përhapej se “djemtë e ‘kapos X’ vranë personin X”. Sepse ata ishin “ligji”.
Fillimi i luftrave mes “Rambove”
Në vitin e mbrapshtë 1997-të, çdo zonë, qytet apo fshat kishte “të fortin”, apo të “të fortët” e saj. Kapos së bandës i viheshin nën urdhra të rinj që afroheshin kryesisht nga afërsia e gjeografike apo lidhjet e gjakut. Kujtojmë shumë grupime që mbanin emrat e lagjeve të qyteteve të caktuara. Këta e nisën si “kapot” e lagjeve dhe kur po e ndjenin veten shumë të fortë filluan të shtonin ambicien për të shtuar te “zona e tyre” lagje të tjera apo gjithë qytetin. Këtu nisin edhe përplasjet e para mes të “paprekshmëve” të atyre kohëve. Betejat ishin të përgjakshme. Qytetet shpesh ktheheshin në fushë-beteja të ashpra ndërmjet grupeve ndërsa shteti “bënte sehir”. Thuajse çdo zonë e vendit kaloi një periudhë anarkie dhe përplasjeje të fortë mes bandave të vitit 1997 shkruan JavaNews.
Thuhet se në Berat lufta mes bandave, kryesisht asaj të Altin dardhës dhe “Burhanëve” shkaktoi 300 të vrarë, ku një pjesë e madhe e viktimave e kanë pësuar rastësisht. Një emër i rëndësishëm i krimit ishte edhe Lulëzim Caka më këtë zonë. Edhe në Vlorë lufta mes Zani Çaushit e bandave të tjera solli dhumë viktima. Në Durrës ndarje e bandës së Lul Berishës solli një luftë që zgjati mes grupeve deri pas viteve 2000. Ndërkohë Tirana sigurisht ishte zona ku vepronin një numër i madh bandash që solli përplasje të egra mes tyre.
Përplasjet e egra mes “bandës së Rrugës së Kavajës” dhe asaj të “Rrugës së Durrësit” sollën shumë viktima. Të gjtihë kujtojnë vrasjen e 7-vjeçarin Angjelin Haxhi, i cili u vra bashkë me të atin arstësisht, teksa ndodhej në një lokal kur ndodhi përplasja mes dy bandave.
Djemtë e “Rrugës Bardhyl” kundër atyre të “Trenit të vjetër”
Naim Zyberi do të arrestohej pikërisht për vrasjen e Gazmend Muçës bashkë me Franc Konomin që për këtë të fundit nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte atëherë por edhe si mundi të shpëtonte nga hakmarrja e bandës së rrugës “Bardhyl” dhe të zemërimit të Arben Grorit. Franc Konomi u akuzua edhe për disa akte të tjerë të rënda kriminale, ndërkohë hetimi kurrë nuk ia hoqi emrin e tij nga vrasja e 18 viteve më parë, ndërsa kurrë nuk mundi të faktonte pjesëmarrjen e tij në atë vrasje dhe aq më pak në akuzat e tjera shkruan JavaNews. Konomi, bashkë me Naim Zyberin, dyshohen si një nga autorët e ekzekutimit me breshëri automatiku të Muçës më 7 prill 1992 te zona e njohur si “Xhamlliku”. Vrasja e tij e cila ndodhi në mes të Tiranës, duket se ka mbyllur një serial të vjetër hakmarrje e konfliktesh mes personazheve të konsideruar si “të fortët e viteve 90 në Tiranë”. Gazmend Muça u vra me një breshëri Kallashnikovi në 7 prill 1992 në Tiranë. Policia akuzoi për vrasjen e Gazmend Muçës, Naim Zyberin dhe Franc Konomin, miq të viktimës, të konfliktuar me Gaz Muçën për shkaqe banale.
Dy klanet që shuan “Djemtë e Rrugës së Kavajës” 
Nuk do të kalonte shumë kohë nga krijimi i tij, deri sa djemtë e bandës së Rrugës së Kavajës do të përçaheshin. Megjithëse fillimisht vepronin së bashku më 1999, “Djemtë e Rrugës së Kavajës” do të ndaheshin në dy klane kundërshtare. Shkaku i përfolur i kësaj ndarjeje mësohet se ishte shuma prej 200 milionësh, të cilën e kishin përfituar pas pengmarrjes së një tregtari të njohur nga Tirana. Në 27 mars të vitit 1999, në rrugën “4 shkurti”, pranë ish-“Bllokut”, i pari në radhë, u ekzekutua Ervin Borova. Ky shënoi dhe vrasjen e parë mes djemve të grupit për të vijuar me të vëllain e tij, Ergysin dhe më pas me një mori të tjerësh që duket sikur do të shuheshin fise të tëra me të njëjtin mbiemër. Zinxhiri i vrasjeve në këtë bandë do të shkonte mbi 20 të vrarë, disa të plagosur ndërkohë që policia në të gjithë historinë e ekzistencës së tyre do të vinte në pranga vetëm 4 persona, ku ka emra që spikasin edhe në të tjera krime. Gjithë moria e hakmarrjes së këtij grupi, ndër më të përgjakshmit në Tiranë do të vijonte për rreth 3 vite ndërsa do të shuheshin njeri pas tjetrit një mori emrash.
“Banda e Selitës”, rivalët e përjetshëm të Yzberishtit
Rrëfimi për një nga vrasjet më të bujshme në Tiranë policia e nis kështu: Atë natë është qëlluar me pistoletë Ardian Tahiri, 39 vjeç, ndërkohë që autori gjatë tentativës për ta vrarë, ka plagosur edhe Roland Cakën, 33 vjeç. Më pas, ai është larguar nëpër errësirë, ku e ka pritur edhe një makinë për t‘u arratisur pa lënë gjurmë. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, pavarësisht se ka pasur shumë dëshmitarë, e ka pasur të vështirë, të zbardhë detaje, pasi autori është një prej krerëve të ashtuquajturës “Banda e Selitës”.
Asnjë nuk ka preferuar të flasë nga frika e ndonjë konflikti të mundshëm. Por, pas dy ditësh, policia ka zbardhur edhe motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, autori i dyshuar është Fatmir Avdillari. Ai ka rreth dy muaj që është liruar nga burgu. Ai ka qenë duke vuajtur dënimin prej 12 vjetësh, pasi në bashkëpunim me vëllezërit e tij dhe shumë persona të tjerë, akuzohej se kishte vrarë shumë persona dhe kishte kryer një sërë grabitjesh. Por, tashmë, ai dyshohet dhe akuzohet për një tjetër vrasje, atë të Ardian Tahirit.
Drejt fundit të epokës së “Rambove”
Bandat e përmendura më sipër janë vetëm një pjesë mjaft e vogël, por që kanë bërë bujë për krimet e rënda dhe përplasjet e egra mes tyre. Përplasje të cilat dalëngadalë po i shuanin këto grupe. Ose thënë ndryshe “Të fortët po hanin kokat mes tyre”. Betëjës mes grupeve kriminale pas vitit 1998 do t’i shtohej edhe lufta që i shpalli shteti i ringgritur dalëngadalë. Tashmë, rrugët po pastroheshin nga “rambot” që lëviznin të pashqetësuar. Një pjesë e madhe e “kapove” u vranë mes tyre ndërkohë disa u arrestuan dhe grupimet po shkatërroheshin.
Të paktën në formën që kishin ekzistuar. Shumë prej grupeve që nga të fortët e Tiranës u kthyen në përbindësha të grupeve rivale, tashmë duket sikur nuk ekzistojnë më; ndoshta ngaqë edhe shumë janë ekzekutuar, të tjerë janë larguar dhe ata pak që kanë mbetur për shtetin janë të izoluar. Ka nga grupet që thuajse janë zhdukur fare dhe nuk ka mbetur më asnjë nga “lavdia” e tyre, por ka të tjerë që befasojnë me eksponentë të veçantë të cilët ende nuk janë konsideruar si pjestarë të njërit apo tjetrit grup.
Ka edhe shumë emra të tjerë të vrarë që kurrë nuk janë etiketuar pjesë grupesh, por që pas tyre gjendej një eskortë kriminale që thuhej aso kohe se kishin edhe mbështetje politike. Ndoshta kjo erdhi nga ndikimi i madh në jetën shoqërore sidomos në rrethet e tyre të afërta, ndërkohë që policia edhe prokuroria e Tiranës janë nisur disa herë të ndërmarrin hapjen e dosjeve të vjetra por pa ia arritur të zhbllokojnë ngërçin e madh të mos mundësisë së pararendësve të tyre për të saktësuar autorësitë vrasjeve të shumta në vend.
Drejt krimit të organizuar, kapot me “duar të pastra”
Rivendosja e shtetit ligjor pas trazirave të viteve 1997-1998 solli fundin e bandave që lëviznin rrugëve. Por, kjo soli një epokë të ri për krimin në tërësi. “Kapot” e mbetur gjallë nga luftrat, apo pjesëtarët e rrezikshëm të bandave që kurrë nuk u identifikuan, u përshtatën me rendin e ri për të vijuar aktivitetin në botën e krimit. Plaçkitjet brenda vendit, ishin një modë e vjetër dhe aktiviteti u zgjerua me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, trafikun e qenieve njerëzore, klandestinëve, pastrimin e parave etj. Pas vitit 2000, një pjesë e madhe e të “fortëve” nisën aktivitetin jashtë vendit, apo ngritën linjat e trafikut duke komanduar nga Shqipëria.
Kjo solli krijimin e grupeve kriminale të mirëorganizuara që bashkëpunonin, koordinoheshin për një qëllim të përbashkët, fitimin nga aktiviteti kriminale.  Tashmë, “kapot” e bandave të reja nuk ishin më si “rambot” e dikurshëm, që rrethoheshin nga “ushtarët” dhe terrorizonin qytetarët nëpër rrugë. Zotësia e këtyre bandave të përshtatura me luftën nga autoritetet ligjzbatuese ishte mbulimi. Edhe pse sërish ata njiheshin nga qytetarët, apo edhe shteti i dinte, thuajse rrallë herë “preknin gjë me dorë” vetë dhe ishte e vështirë t’i identifikoje në aktivitetin kriminale. Ata që e pësonin ishin ushtarët që kapeshin me “ngarkesat”. Kjo histori vijon prej vitesh. “Në deklaratën ‘bombë” tëambasadorit Donald Lu një mesazh që nuk i’u kushtua shumë rëndësi në media ishte: “Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg”. Dhe në fakt emrat e tyre edhe shumë qytetarë i dinë në zonat e tyre, por ata nuk shkojnë kurrë në burg, ose dalin shumë shpejt nëse shkojnë, pasi kurrë “nuk janë kapur me presh në dorë”, “mallin” e transportojnë sërish ushtarët.
“Boss-at” që bëhen papritur biznesmenë dhe politikanë
Sofistikimi i krimit të organizuar ka sjellë edhe një fenomen që dukshëm ëhstë shfauqr më herët në vendet e Perëndimit. Paratë e trafiqeve dhe krimit janë investuar në biznese. Vitet e fundit, në media shpesh herë raportojmë për biznesmenë që u bëhen atentate. Mes pistave të hetimit përherë gjejmë “larje hesapesh”. Po çfarë “larje hesapesh” mund të ketë një biznesmen nëse la pasur aktivitet të pastër…?! Ky lloj sofistikimi i krimit ka sjellë edhe rritjen e numrit të vrasjeve mafioze. Tashmë nuk ka më vrasje demonstrative nga “të fortët” si në vitin 1997 kur dilnin dhe krenoheshin me krimet. Veçoria e krimnelëve-biznesmenë është mbulimi në lufëtn mes tyre.
Tashmë, thuajse pas çdo ekzekutimi të tipit mafioz, dosjet arkivohen me përfundimin e njëjtë: “nga vrasës me pagesë”, dyshohen larje hesapesh…Por kurrë nuk arrihet te porositësi, ose le të themi shumë rrallë. Edhe banda famëkeqe e Julian Sinanajt, ‘mjeshtrit’ të tritolit u zbulua pasi një prej autorëve të krimeve dëshmoi në polici duke ndjerë frikën se mos eliminohej nga shokët.
Shumë përplasje mes bandave të reja kanë ndodhur në vite në Tiranë, por thjesht dhurohet spektakël në media ku shkruhen historitë e ëprplasjeve mes grupeve, por “boss-at” kurrë nuk kapen. E njëjta edhe për bandat e Elbasanit. Janë përmendur edhe me emra, por “kapot” nuk kanë prekur gjë me dorë dhe kurrë nuk janë siguruar prova. Një epokë e re ka nisur për mafian shqiptare. “Të fortët” pasi kanë investuar në biznese, dhe kanë arritur të pastrojnë paratë e krimit, kanë penetruar deri edhe në politikë. Tashmë, nuk kemi më “kapo” me kallashnikovë, ata janë me kravata, ndoshta kurrë nuk do i mësojmë emrat e shumë prej tyre!

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re