Nga Redi Shehu

Padyshim që të gjithë biem dakort rreth faktit që jetojmë në një kohë kontradiktash të mëdha lidhur me bindjet, besimet, ideologjitë apo politikat tona. Manifestimi i kësaj na verbon përmes polarizimit të skajshëm i cili tret ne eter qëllimet tona të përbashkëta. Polarizim që vjen nga sistemi apo polarizim i qëllimeve tona që i japin ngjyrë vetë sistemit?

Shumë demokraci në botë po hasin probleme me vetbesimin duke vënë në dyshim vetë vlerat me të cilat ato u afishuan. Zgjedhje të cilat nuk konsiderohen më thjesht garë, por një festival i ndarjes sociale dhe destruktivitetit të unitetit kombëtar. Gjithmonë e më tepër politikanë në nevojë për fonde fushatash elektorale të cilët transformohen në elita të kapura politike që në fund të mandateve të tyre konkurojnë me pasanikët për nga asetet dhe burimet ekonomike. Korrupsion i cili nxit korrupsionin në sistem. Injorancë permanente e votuesve bazuar në irracionalitet total në zgjedhjen e lidershipit politik, i cili niset nga performancat individuale dhe jo nga performancat politike të tyre, pa ditur dhe pa kuptuar se çfarë është e mirë për ta në fund të ditës.

Pavarësisht se ky model i demokracisë liberale është një sistem që i jep zë njerëzve përmes përfaqësimit politik, ai në të njëjtën kohë, nuk po u garanton zgjidhjen e problemeve afatgjata për shkak të mandateve afatshkurtra të cilat shpesh prodhojnë destabilitet. Destabiliteti prodhon konflikt dhe ku ka konflikt në më të shumtën e rasteve, nuk ka vend për moralitet. Për të zgjidhur konfliktet atëhere, sa më shumë negociata që hanë sa më shumë kohë për të shkuar te zgjidhje të cilat prodhojnë konfliktin e radhës.

Kalimi nga monarkitë e kufizuara në demokracitë e sotme me liri të pakufizuara, po e kthejnë këtë sistem në iluzionin e modelit të vet të vërtetë, pra nga demokraci në fiction, në një “fictiocracy”, ku iluzioni i saj mirëmbahët vetëm nga narrativa demokratike por që në praktikë është i korruptuar nga qëllimi politik dhe ai ekonomik. Bashkë me iluzionin e sistemit, fictiocracia ka ndërtuar edhe iluzionin sovranit dhe atributeve të tij. Një sovran i hallakatur në irracionalitetin e kohës në të cilën jeton, i cili duhet t’i kthehet racionales, ngase sistemet marrin ngjyrën dhe formën e njerëzve të cilët e zbatojnë./ Medius

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re