“Historia është një dialog i përhershëm mes shoqërisë së sotme dhe asaj të së shkuarës” – shkruante Carr, një dialog i cili zhvillohet në formë korrekte vetëm në një kontekst lirie, të një shoqërie të lirë, sepse e vërtat merr kuptimn e saj vetëm në një mjedis të lirë. Për të kuptuar veprimet e njerëzve si thelbi i manifestimit të historisë, duhet të kuptojmë rolin që ka liria në vetë njeriun i cili e përmbush historinë përmes veprimeve apo mosveprimeve të veta. Historia pa njeriun është një enë bosh, është një njësi abstrakte e pakuptueshme dhe e pa sens. Njeriu si thelb i saj, me vitalitetin dhe manifestin e këtij vitaliteti, i jep kuptimin dhe shpirtin historisë dhe e kthen atë në një shkencë e cila dallon katërcipërisht nga shkencat natyrore të cilat nuk kanë nevojë për njeriun dhe mjedisin e lirë për ta aktualizuar veten.

Historiani dhe puna e tij me të shkuarën dhe të tashmen është e lidhur me vlerat personale dhe se çfarë synimi prioritar ka ai në punën e tij. Të dyja këto, si vlera personale dhe prioriteti i punës, janë të deformuara nëse nuk zhvillohen në një mjedis lirie, brenda një shoqërie të lirë.

Një ndër problemet e mëdha sot me konceptin mbi historinë, është ai që ka të bëjë pikërisht me heqjen e rolit të manifestimit njerëzor si objekt dhe qëndër e historisë. Në grupet kryesore të mendimit mbi historinë, një gjë e tillë shfaqet qartazi. Grupimi i parë është ai që mbështetet në këndvështrimin ciklik të historisë, i cili bazohet në bindjen se historia ecën në formë rrethore, gjërat ndodhin në formë po rrethore duke mos pasur një kuptim dhe pa pikë sensi të ngjarjeve. Njeriu nuk ka asnjë rol në ngjarjet dhe kuptimet historike. Grekët e lashtë e mbështetnin këtë ide, por që më vonë e hasim edhe tek Niçe, i cili i dha një kuptim modern këtij sensi ciklik të historisë.

Grupimi, i dytë është ai që ka të bëjë me determinizmin historik, kryesisht bazuar mbi teorinë e Hegelit, por e dhe të Marksit, të cilët mendonin se historia vihet në lëvizje nga forca jonjerëzore, nga forca ekonomike (shteti absolut), natyrore, Frojdi shkon edhe më tej duke thënë që ajo (historia) vihet në lëvizje nga erosi.

Të dyja këto pikëpamje mbi historinë, kanë një gjë të përbashkët, atë të përjashtimit të rolit të njeriut si qënie e cila është e aftë të përzgjedhë dhe që mbart përgjegjësi historike për këtë përzgjedhje të tij. Bazuar në këto pikëpamje, e sidomos mbi pikëpamjen hegeliane deterministe të historisë, sot ne shohim teori të mendimtarëve si Fukujama që kurorëzohen me idenë e “fundit të historisë”. Është krejt interesant fakti se si lulëzon një ide e tillë brenda konceptit se lëvizjet natyrore, shtetërore, ekonomike, erotike, vetpërmbushen në epokën tonë brënda një triumfi të kapitalizmit të liberaldemokracive. Me këtë status përcaktimi, Fukujama i jep fund historisë, ku ky triumf përcakton edhe pikën fundore të zhvillimit të njerëzimit, fundin e evolucionit të tij ideologjik. Historia, sipas Fukujamës mbaron me universalizimin e këtij triumfalizmi determinist, për të gjitha shoqëritë njerëzore.

Nëse qendra e historisë do përbëhej nga ekonmia, shteti, sigurisht që këto janë koncepte që duhet të kënë një fund. Prandaj edhe fundi i historisë së Fukujamës është i pashmangshëm, përsa kohë ai nuk bazohet në rolin e individit në histori por në rolin e strukturave ndaj saj. Njeriu është një nocion infinit, strukturat janë nocione fundore. Për këtë arsye historia nuk e ka një fund dhe është infinit nëse ajo ka në qendër manifestimin njerëzor veprat dhe qëllimet e tij. Në këtë kuptim njeriu është thelbi i historisë, dhe qendra e këtij thelbi është liria e tij për të përzgjedhur një veprim historik. Qasja determimniste bën pikërisht të kundërtën; i heq njeriut lirinë e veprimit historik duke ia kaluar strukturave, e zhvesh atë nga infiniti i tij duke i dhënë historisë pastaj atribute fundore.

Pyetja që del natyrshëm pataj është ajo se si mundet të gjejmë “të vërtetën historike” nëse i heqim kësaj të vërtete elementin qendror të saj, i cili është njeriu? A mundet ne të krijojmë një ide të qartë mbi ngjarjen historike nëse e kuptojmë atë vetëm së jashtmi duke njohur vetëm rolin e shtetit apo ekonomisë si determinuese të historisë? Po veprimi i brendshëm, roli i mendimit si përcaktues i këtij veprimi?

Që e vërteta historike të rivendoset, duhet dhe është e nevojshme që historia e shkruar të kalojë përmes një proçesi rivlerësimi dhe mbi të gjitha rimoralizimi të domethënies historike të ngjarjeve dhe hapave vendimtarë të saj. Për këtë është e nevojshme që të rritet përkuptimësia e mesazheve të brendshme që vijnë nga historia, por jo vetëm kaq, është e nevojshme që diafragma e fakteve dhe provave historike duhet të zgjerohet për një frymëmarrje të natyrshme. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re