Një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit undërmjetësua me ndihmën e Katarit dhe të SHBA në këto momente kur e gjithë bota i ka sytë me shpresë të madhe te paqja. Fjala e fundit ju përket dy protagonistëve, Izraelit dhe Iranit, të cilët për arsye të ndryshme janë munduar për hir të së vërtetës ta përhapin sa më shumë në vendet e Gjirit Persik, pra ta zgjerojnë konfliktin e armatosur.

Goditjet izraelite vetëm sa e kanë përkeqësuar konfliktin, të cilit Irani i është përgjigjur duke sulmuar me raketa bazat amerikane në Katar së fundmi. Goditja që mori Irani në Siri dhe Liban ka qenë shumë e ndjeshme për politikat e saj diplomatike, duke ju ndërprerë kështu lidhjet tokësore me grupet e ndryshme shiite në zonë. Nga ana tjetër Netanjahu dhe Izraeli kanë deklaruar, se nuk do të hyjnë në një luftë konsumuese me Iranin, duke iu referuar kështu luftës tokësore, e cila normalisht ka kostot e veta. Të gjithë lojërat diplomatike tashmë janë zhvendosur në një shkallë më të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe vëmendja e opinionit botëror është zhvendosur krejt nga Gaza, dhe se atje po vazhdon lufta e pisët e Izraelit.

Me nivelin dhe përmasat të cilat i ka ndërmarrë ky konflikt botëror e ka shuar krejt vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare dhe të OKB-së nga Gaza. Tashmë çmimet e naftës në tregun botëror kanë filluar të luhaten në tregun ndërkombëtar drejt rritjes, gjë e cila nuk do ta përjashtojë Shqipërinë. Mirëpo e gjitha kjo nuk e ka ndaluar aspak trendin e luftimeve në Gaza, ku raportohet jo më larg se dje (23 qershor 2025), që IDF ka vrarë të paktën 43 palestinezë që po kërkonin ndihma të ndryshme në pikat ku akordohen ndihma ushqimore apo shëndetësore. Të paktën 43 persona janë vrarë në sulme të ndryshme izraelite që nga agimi, ndërsa ushtria po sulmon pa pushim enklavën e rrethuar të Gazës, thonë burimet mjekësore, me numrin e përgjithshëm të të vdekurve palestinezë në luftë që tejkalon shifrën marramendëse prej 56,000 njerëzish. Sulmet izraelite ndaj palestinezëve pranë qendrave të ndihmës kanë vrarë më shumë se 400 persona dhe kanë plagosur rreth 1,000 të tjerë, që kur GHF (fondacion ndihmash izraelite për Gazën) filloi shpërndarjen e ndihmave më 27 maj.

Ndërkaq që në opinionin ndërkombëtar po bëhet zhurmë mbi ndërmjetësimin e paqes Iran- Izrael palestinezët po paguajnë me jetët e tyre të pafajshme dhe me uri vdekjeprurëse të gjithë këtë uri për pushtet të Netanjahut dhe qeverisë së tij. Tashmë pa frikë mund të themi se Netanjahu për hir të pushtetit të vet po bën gjithçka duke shkelur mbi jetët e njerëzve të pafajshëm. Ai është kthyer në një autokrat, i cili po kërcënon të gjithë paqen e Lindjes së Mesme. Akuzat që i vijnë nga opozita e pafuqishme izraelite për korrupsion madhor dhe si qeverisje e paaftë për të mbyllur konfliktin me Hamasin dhe për t’i sjellë pengjet izraelite në shtëpi pothuajse janë bërë të pandjeshme.

Le të shohim se çfarë do të sjellin orët dhe ditët në vijim, paqe apo vazhdimin e luftimeve!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko