Kamerat kurth janë nga më të përdorurat nga grupet e eksplorimit dhe studiusve të botës së egër. Pikërisht me këto kamera ‘Protection and Preservation of Natural Environment in Albania’ PPNEAs në malin e Munellës ka fotografuar jetën e kafshëve të egra.

Në foto duket edhe rrëqebulli i Ballkanit një specie kjo që është në rrezik zhdukje, por së fundmi është parë një riprodhim i tyre që ngjall shpresë se specia mund të shtohet.

Rrëqebulli i Ballkanit ka një pamje të jashtme si të gjithë pjesëtarët e tjerë të gjinisë Lynx. Madhësia trupore është pak më e vogël se ajo e rrëqebullit të Eurazisë. Është një mace me këmbë të gjata dhe robuste. Gëzofi është i verdhërremë-murrmë në verë, më i zbehtë në dimër, shumë laraman në këmbë, por me më pak lara mbi shpinë.

Postimi i bërë nga ‘Protection and Preservation of Natural Environment in Albania’:

Monitorimi i rrëqebullit të Ballkanit për vitin 2020 filloi në malin e Munellës, me aktivizimin e kutisë – kurth dhe vendosjen e kamerave në zonën rreth tij. Grupi i kërkuesve shkencor të ‘Protection and Preservation of Natural Environment in Albania’ PPNEAs aktivizoi kutinë kurth në Shkurt 2020 dhe qëndroi aktive deri në 21 Mars 2020. Për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, kutia kurth u çaktivizua përpara kohës së parashikuar të studimit, pa patur mundësinë e kapjes së një rrëqebulli dhe pajisjes së tij me GPS. Pavarësisht kësaj, kamerat tona na sollën sërish foto rrëqebulli per të na treguar se ai është mbreti i kafshëve në atë zonë.

Surpriza e këtij sezoni monitorues ishte familja e rrëqebujve e fotografuar në zonën e studimit Polis-Gur i Zi, rajoni i Elbasanit. PPNEA në bashkëpunim të ngushtë me AdRZM Elbasan zhvilluan monitorimin ekstensiv me kamerat-kurth në këtë rajon (Polis-Guri i Zi dhe Rrajca), për një periudhë tre mujore (Shkurt-Prill 2020). Ky monitorim shënoi dhe rikthimin e PPNEA-s në rajonin e Elbasanit që prej vitit 2012, vit në të cilin grupi jonë i kërkuesve fotografoi për herë të parë rrëqebullin në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Pamjet në të cilat shikojmë prezencën e më shumë se një individi në një foto vërteton qartazi popullatën e dytë të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri pas asaj të Munellës, si dhe të tretën në të gjithë gadishullin e Ballkanit. Fotografimi dhe filmimi i tre rrëqebujve në një foto/video ka qenë një lajm kaq shumë i pritur dhe i kërkuar nga grupi i studiuesve të PPNEA.

Ekzistenca e llojeve të rrezikuara në zonat e lartpërmendura kërkon nisma të koordinuara të ndërmarra me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e natyrës. Është e rëndësishme të theksojmë këtu shpalljen e Munellës Zonë të Mbrojtur sa më shpejt të jetë e mundur dhe zgjerimin e zonave aktuale ku ndodhet rrëqebulli.

Përveç rrëqebullit, kamerat tona kanë fotografuar edhe lloje të tjera të gjitarëve, po aq të rëndësishëm për rolin që kanë në ekosistem, si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), çakalli (Canis aureus), derri i egër (Sus scrofa), kaprolli (Capreolus capreolus) dhelpra (Vulpes vulpes), kunadhja (Martes foina), ketri (Sciurus vulgaris) dhe baldosa (Meles meles).

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re