Në një intervistë në Abc News me Juli Xhokaxhi, psikologja e njohur Denada Toçe ka folur se si janë duke e përjetuar shqiptarët situatën e Pandemisë.

Teksa jemi në javën e pestë të izolimit, psikologja zbuloi edhe kërkesat më të shumta që ka marrë nga qytetarët. Sipas saj prindërit janë duke e përjetuar me shumë stres për shkak të mungesës së aktiviteteve për fëmijët e tyre.

Ndërkohë, Toçe thotë se kjo situatë ka sjellë edhe konflikte në çift për shkak të distancave. Ajo thotë se ka pasur shumë kërkesa për këshilla të rregullimit të marrëdhënies në çift.

Po ashtu kjo periudhë ka sjellë edhe ankth dhe frikë nga vdekja tek të moshuarit, të cilët janë edhe kategoria më e rrezikuar nga Covid-19.

Pjesë nga intervista:

Si po e përballojnë shqiptarët këtë situatë, jemi thuajse në më shumë se java e pestë? Shqiptarët janë edhe natyrë që duan të dalin, të rrinë në kafe.

Kjo pjesa e frekuentimit të bareve kam përshtypjen se është këtyre në një sfidë për të dalë në cepat e lagjes për të konsumuar kafen. Prindërit e përjetojnë më me shumë frustrim. Qëndrimi në shtëpi ka sjellë stres dhe janë në rezistencë për të dalë. Është e vështirë ta menaxhosh se është sosur durimi. Mungesa e aktivitetit të fëmijëve sjell edhe më shumë stres.

Un kam marrë me dhjetëra mesazhe nga shumë të rinj që kërkojnë këshillim për menaxhimin e ankthit dhe stresit. Normalisht marrëdhënia në distanca ka edhe konflikte. Kam pasur kërkesa për menaxhimin e marrëdhënies në çift. Por edhe menaxhimit të fëmijëve. Kërkesa më e veçantë është ajo për moshën e tretë, për menaxhimin e frikës ndaj vdekjes. Dinamikat kanë qenë goxha të forta në këto javët e fundit. Unë mendoj se rutina në fund të ditës është pa produktivitet. Janë shtuar një sërë problematikash. Uroj që masat të lehtësohen. Familjarët të mund të konsumojnë disa orë jashtë. Një pjesë e mirë kanë filluar punën dhe në aspektin ekonomik është shpresëdhënës.

Janë disa detaje, sa ndikon tek njerëzit fakti që e kanë ta ndaluar ta bëjnë diçka? Si ndikon se duket se ka një lloj rebelimi?

Njeriu është i programuar që të jetë i lirë, të reagojë ndaj stimujve. Ti i thua s’ke për të shkuar, kjo shton më tepër ankthin dhe kërkesën për të zbuluar çfarë ka jashtë saj. Çdo ndalesë arbitrare krijon ankth dhe lëvizje të pakontrolluara.

Duhej vepruar më shumë me këshilla, apo me masa dhe gjoba?

Unë nuk mendoj se gjobat, krijojnë sjellje të stabilizuar, por krijojnë kaos. Kur është nevoja për të marra masa të sforcuara duhen marrë. Kur kemi këto rezultate të mira, ndoshta ne kemi marrë masa ekstreme. Nga ana tjetër frika e madhe fillon pjesën e ndërgjegjësimit të madh.

Ka një lloj etje të njerëzve për të marrë dhe shpërndarë çdo informacion që ka të bëjë me teori konspirative. Duket sikur njerëzit e besojnë se kemi të bëjmë me një lojë. Nga vjen kjo?

Kjo vjen nga frika për tu shmangur nga vdekja. Rreziku është aty, unë nuk mendoj se duhet ta krahasojmë me viruse të tjera. Ne duhet të mendoj se çdo qytetar që ka humbur jetën është qytetar i kësaj bote. Nuk duhet ta mendojmë që këto masa janë ekstreme për të rregulluar ekonominë e botës. Është koha që të ndërgjegjësohemi që të vetmit aktorë që të bëjmë një ndryshim në këtë situatë jemi ne.

Pas kësaj pandemie bota nuk do të jetë njëlloj. A mundet që sjelljet njerëzore, apo tradita e Shqipërisë mund të ndryshojnë për pak javë?

Unë do të doja që gjërat të mos ishin njësoj. Do të doja që të kishim mësuar shumë. Dhe politika të kishte mësuar. Do të doja shumë që shqiptarët të kishin mësuar se është shumë e rëndësishme të qëndrosh pranë me familjen. Unë do të doja që ne të kishim mësuar nga kjo situatë se sa e rëndësishme është që të kthejmë vëmendjen nga mosha e tretë. Nëse ka pasur shumë të infektuar është se ata janë shumë aktivë, bëjnë pazare. Duhet të kemi një vëmendje të veçantë nga mosha e tretë. Do të doja të kishim mësuar se sa e rëndësishme është edukimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re