Ikja nga Shqipëria mund të rezultojë dhe si ikje “nga shiu në breshër”.

Kështu, një familje shqiptare vazhdon të jetojë në rrugë në Montpelje të Francës, pasi la vendin ku jetonte me një mijë vështirësi, por nën strehë gjithsesi.

Sipas mediave franceze, çifti me katër fëmijë, përfshirë një foshnjë 20-muajshe të sëmurë, nuk kanë gjetur ende strehim emergjent, pavarësisht thirrjeve të përditshme në shtetin francez.

Prej një jave, ata janë vendosur pranë Bashkisë së atyshme, me shpresën se mund të ngacmojnë mëshirën e autoritereve e t’u gjendet një strehë. Për ta, të hënën në mbrëmje, rreth 60 persona morën pjesë në një tubim, të organizuar nga shoqatat “Un toit, un avenir” dhe “Solidarité Partagée”, që ndihmojnë familjen prej javësh.

Samuel Forest, president i shoqatës Solidarité Partagée, shprehu shqetësimin për gjendjen e familjes shqiptare, duke thënë: “Situata është e papranueshme. Fëmijët sëmuren nga të ftohtit. Kemi parë raste kur familjet qëndrojnë deri në katër muaj në rrugë. Kjo nuk është normale dhe pushteti vendor nuk po ndërhyn”.

Sipas autoriteteve lokale, familja nuk konsiderohet prioritet për strehim emergjent, pasi gjendet në situatë të parregullt ligjore dhe kërkesa e tyre për azil është refuzuar.

Gjykata Administrative e qytetit më 8 dhjetor ka rrëzuar gjithashtu kërkesën e tyre për strehim.

Çështja më e diskutueshme në këtë rast është: pse nuk kthehen?

E sigurt është që në Shqipërinë e “pajetueshme” kështu nuk të lë kush të vuash, jo domosdoshmërisht shteti, por pa diskutim njeriu i thjeshtë, ai me zemër të ndjeshme.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re