Altin Ndoci, një prej emrave më të shumëpërfolur të botës së krimit, i pandehur në procesin “Plumbi i Artë” dhe i etiketuar si vrasësi me pagesë i organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, u arratis këtë të martë nga ambientet e Spitalit Rajonal Durrës.
Ndoci ankohej për shqetësime në veshka, ndërsa vizitat për personat e burgosur zhvilloheshin në një ndarje të posaçme.
Ai dhe një i paraburgosur tjetër, siç është raportuar së fundmi, shoqërohej nga 5 punonjës të policisë së Burgjeve ndërsa vetëm 2 prej tyre e kanë shoqëruar në ambjentet e brendshme të spitalit.
Burimet thonë se një moment ka kërkuar të shkojë në tualet ku aty ka goditur një nga 3 punonjësit e policisë së burgjeve dhe është larguar.
Mësohet se një nga policët ka qëlluar në ajër, por Ndoci është larguar.

Në parkimin e spitalit atë e priste një “Audi” të bardhë, A7, me targa AA700RS dhe sapo është ngjitur në të, mjeti ka lëvizur në drejtim të Spitallës.

Policia ka ngritur postblloqe në Durrës dhe Tiranë për të bërë të mundur arrestimin e tij, ndërsa ka dyshime se arratisja ka qenë e planifikuar më herët.
Pas arratisjes, Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve ka pezulluar nga detyra drejtorin e Burgut Durrës, Indrit Cerloj, nën drejtorin, mjekun dhe 7 zyrtarë të tjerë.
Ndoci njihet si person i ‘rekrutuar’ nga Talo Çela, dhe në dosjen e SPAK akuzohet për përkrahja e autorit të krimit, konkretisht këtij të fundit, gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me vrasjen e Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.
Po ashtu ai akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Ndoci kishte vepruar si vrasës për llogari të organizatës Çopja.
