Ka vdekur në SHBA nga Covid-19, ish-specialisti i Këshillit të qarkut Lezhë, Agron Vraja. Ai kishte shkuar në Neë York para dy muajsh tek djali i tij student. Pas infektimit nga virusi vdekjeprurës Vraja fatkeqësisht nuk ka mundur t’i bëjë ballë kësaj beteje me COVID-19.
Lajmi i hidhur është bërë me dije përmes rrjeteve sociale nga miqtë e tij të cilët kanë shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Vrajës, para kohe. Infektimi nga koronavirusi bëri që Vraja të mos e shijonte deri në fund vizitën tek djali i tij në SHBA.
Kujtojmë që numri i shqiptarëve të vdekur jashtë Shqipërisë është rritur ndjeshëm, ku edhe vdekja e Vrajës shton më shumë listën e shqiptarëve të vdekur në Amerikë. Katër ditë më parë vdiq si shkak i virusit në Amerikë edhe ish- mësuesi 86-vjeçar shqiptar nga Sinica e Devollit, Jani Depo. Depo jetonte prej 20 vitesh me familjen e tij në Çikago.
SHBA deri më tani është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, ku përveç numrit të lartë të të infktuarëve, tashmë ia ka kaluar edhe Italisë për numrin e viktimave, duke u bërë vendi më i goditur në botë. Aktualisht në SHBA kanë humbur jetën 22,115 persona dhe 560,433 të tjerë janë të infektuar.