VALENTINA MADANI/ Pas përfundimit të mandatit të saj në Shqipëri, si e dërguar e presidentit amerikan në selinë diplomatike në Tiranë, Yuri Kim pritet të marrë një tjetër detyrë të rëndësishme.

yuri-kim

Burime diplomatike bëjnë të ditur, se diplomatja Yuri Kim pritet të marrë postin e zëvendësndihmëssekretares për Çështjet Evropiane në Departamentin Amerikan të Shtetit. Konkretisht, mësohet se Yuri Kim dje është shpallur zyrtarisht si zëvendësndihmëssekretarja kryesore për Çështjet Evropiane (dhe ushtruese e detyrës së ndihmës sekretarit derisa të konfirmohet Jim O’Brien), duke filluar nga 10 korriku.

Jim O’Brien, detyrën e të cilit do të ushtrojë përkohësisht, është i ngarkuar me sanksionet ndaj individëve qe cenojnë politikat e sigurisë kombëtare amerikane kudo në botë. Departamenti i Evropës është me i madhi dhe më i rëndësishmi në Departamentin e Shtetit. Kujtojmë që Yuri Kim është në përfundim të mandatit si ambasadore në Tiranë dhe pritet të zëvendësohet nga David Kostelançik. Yuri Kim gjatë viteve të qëndrimit të saj në Shqipëri ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për reformën në drejtësi. Detyra e re pritet ta rikthejë ambasadoren Yuri Kim herë pas here në Shqipëri. Ditën e mërkurë, më 21 qershor, ambasadorja Kim ka paralajmëruar dhe një konferencë për shtyp në ambientet e ambasadës, që pritet të jetë e fundit e saj në këtë detyrë.

Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020. Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Evropën, Azinë dhe Lindjen e Mesme. Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Evropës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. David J. Kostelancik, diplomati i caktuar nga Presidenti Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, doli përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan, ku foli për prioritetet e tij gjatë misionit që i është besuar. “Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare.

Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur para ca kohësh Kostelancik. Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, sipas diplomatit të karrierë, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje. “Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022 tregoi nevojën për të për të infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qëndrueshëm. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim”, shtoi ambasadori.

David J. Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më herët në periudhën 1992- 1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, i shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, gjeneralit Mark Milley. Kostelancik është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re