Dule Malindi është zëri i muzikës popullore dhe asaj polifonike. Ai është një nga përfaqësuesit më të denjë të muzikës në Skrapar. Jeta e tij megjithatë nuk ka qenë e lehtë.

I ftuar në “Vizioni i Pasdites” të moderuar nga Brikena Prifti, këngëtari tha se tashmë ka më shumë se 40 vite karrierë.

Në vitin ’90, Malindi emigroi në Stamboll ku jetoi për 12 vite, por nuk hoqi dorë nga muzika.

“Me jetën e Stambollit jam i lumtur se aty mu ringjallën adetet e vjetra të shqiptarëve. U futa si padashje në treg. Isha në një dasmë familjare, kishte mbi 300 të ftuar dhe aty kishte një orekstër shqiptare. Thashë a t’i bie një herë unë kësaj klarinetës? Bëra një kaba përmetare, ata u habitën dhe u ulën në gjunjë duke qarë. Më pas mora një grup nga Shqipëria”, rrëfen këngëtari.

Në vitin 2002 u rikthye në Shqipëri së bashku me familjen.

“Dashuria është e papërshkruar. Vetëm kur e provon e ndjen. Nipi është shumë i lidhur me mua. Më ngjan edhe pak fizikisht. Kamë bërë një këngë për të. Sa lindi nipi, Davide, shkova direkt te i ndjeri Arben Duka dhe i thashë dua të bëj një këngë. Ka dalë një dhuratë e bukur. “Më e madhja dashuri” titullohet”, rrëfen Malindi.

Rrëfen se shkon shumë shpesh në Itali, aty ku jeton edhe vajza e tij së bashku me familjen.

Sa i përket bashkëshortes, rrëfen se nuk është pjesë e artit, por është mbështetja e tij më e madhe.

“Ishte nga fshati. Kemi 10 vite diferencë, unë e rrita. Xhelozia nuk ka ekzistuar, ndoshta është diçka e veçantë, por kam pasur dhe kam një mbështetje të jashtëzakonshme. Marr një frymëzim të jashtëzakonshëm. Shkoj jashtë shtetit pa merak dhe ajo rri pa merak. Më ka ndihmuar edhe te kënga e Davides për idenë. Më ndihmon shpesh. Ia lexoj tekstet dhe marr aprovim”, thotë Malindi.

Në ekranin e Vizion Plus, tregon se çdo këngë ka specifikën e vet dhe nuk i ndan dot. Gjithashtu rrëfeu se ka një projekt të ri për një personazh shumë të njohur i cili do të publikohet së shpejti, por detajet e tjera i la surprizë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re