Për shkak të rritjes së madhe të infektimeve, qeveria e Kosovës ka miratuar masa më të ashpra kundër COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi të shtunën më 22 janar dhe do të zgjasin së paku dy javë.

Sipas masave të reja, personat që hyjnë në Kosovë do të duhet të kenë certifikatën e marrjes së tri dozave të vaksinës COVID-19 ose certifikatën e dy dozave të marra me test negativ PCR jo më të vjetër se 48 orë.

Nga ky rregull përjashtohen personat në tranzit, diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë, ata që kanë certifikatë mjekësore se nuk lejohet të marrin vaksinën, si dhe personat nën 12 vjeç.

Personat e moshës 12 deri në 16 vjeç duhet të kenë një test negativ PCR jo më të vjetër se 48 orë.

Qytetarët e Kosovës që nuk kanë konfirmim se kanë marrë dy doza të vaksinës janë të detyruar të qëndrojnë në karantinë shtëpie shtatë ditë nga hyrja në territorin e Kosovës.

Për të hyrë në Kosovë nga 3 janari i këtij viti e deri më sot është dashur certifikata e vaksinimit me dy doza të vaksinës.

Sipas masave të reja, edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve po zgjatet, kështu që lëvizja do të ndalohet nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit, ndërsa deri më tani ndalimi ka nisur në mesnatë.

Objektet e hotelerisë po shkurtojnë orarin e punës. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re