Nga Namir LAPARDHAJA*-

Përafërsisht një muaj më parë, depozitova pranë bashkisë Berat propozimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, zonjës Milika Jaho, “Mësuese e Merituar”, njëkohësisht kryetare e bashkisë së Beratit në një periudhë mjaft të vështirë kohore, gjatë viteve 1996-2000.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Beratit, me shumicë absolute të votave, ky propozim u miratua dhe, në morinë e shumtë të emrave që mbajnë këtë titull, ky i zonjës Jaho, padyshim që, është ndër të veçantët, ngase qyteti i Beratit, sikurse vendi ynë, ka kaluar mjaft situata të vështira në këto vitet e tranzicionit, ndërsa drejtimi i zonjës Jaho mbahet mend edhe sot e kësaj dite për mirë.

Pikërisht në situata të vëshitra kanë spikatur njerëz me cilësi e virtyte që janë bërë shembull frymëzimi për qytetarët e tjerë, kanë dhënë ndihmesë dhe kontribut për të lehtësuar sadopak vështirësitë e tyre.

Një ndër qytetaret shembullore të Beratit është zonja Jaho, e cila për  dekada ka qenë simbol i qytetarisë, atdhedashursë, dijes dhe mësueses mjaft të dashur për breza e breza nxënësish.

Po ashtu, ka qenë në krye të bashkisë së Beratit në një situatë tejet kritike dhe kaotike, kur qyteti, sikurse edhe vendi, kishte humbur tërë ekuilibrat shoqërorë dhe po shkonte drejt greminës, duke drejtuar me sensin e dashurisë për qytetarët dhe qytetin dhe me sensin e drejtësisë, duke u përpjekur për të sjell në eukuilibër qytetin dhe qytetarët.

Kjo kryetare bashkie është sot ikona e ndershmërisë dhe e drejtësisë së zyrtarit të lartë publik për qytetin tonë dhe më gjerë.

Ajo ka mishëruar atë qytetari të vjetër të qytetit, duke u bërë simbol i virtyteve të shkëlqyera të nënës. gruas, mësueses, qyteares së parë të qytetit.

Duke njohur respektin e pakufishëm që kjo zonjë gëzon në komunitetin e qytetarëve të Beratit, pa dallim, i propozuam Këshillit Bashkiak të Beratit t’i akordojë zonjës Milika Jaho titullin “Qytetar Nderi” me këtë motivacion: “Një mësuese e nderuar që ka shpërndarë veten e saj të mirë ndër gjenerata të tërë nxënësish, një punonjëse publike që u bë zëri i qytetarëve në një kohë tejet të vështirë, një zonjë fisnike që krijoi një figurë të qytetares së parë si model për t’u admiruar dhe ndjekur.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re