Nga sot, gjimnazistët do të jenë të detyruar që orët e mësimit t’i ndjekin online nga shtëpia.

Pas universiteteve, Komiteti i Ekspertëve ka marrë vendimin që të mbyllë edhe shkollat e mesme në ato qytete ku shkalla e infeksionit është më e lartë.

Kështu, gjimnazistët në Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec dhe Kamzë do t’i zhvillojnë orët e mësimit online.

Nga ky vendim nuk përjashtohen as maturantët.

Prej fundit të vitit që shkoi, Qeveria dhe Komiteti i Ekspertëve kishte vendosur që mësimi në shkollat e mesme të bëhej i alternuar, pra, dy ditë në shkollë dhe tre ditë në shtëpi, por nga kjo skemë maturantët ishin lënë jashtë. Kjo jo pa qëllim, duke pasur parasysh ngarkesën dhe përgatitjen që nevojitet për të kaluar pragun e maturës.

Nga ana tjetër, kufizime të reja janë caktuar edhe për lëvizjen.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, qarkullimi do të jetë i ndaluar pas orës 20:00 të mbrëmjes.

Kjo vlen jo vetëm për automjetet, por edhe qytetarët si edhe baret dhe restorantet, që po ashtu do të detyrohen të mbyllin aktivitetin pas kësaj ore.

Këto kufizime do të qëndrojnë në fuqi deri në datën 25 shkurt, pra, për një periudhë 2-javore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re