Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka zhvilluar në Londër një takim me Lordin David Richards, ku kryefjalë e diskutimit ka qenë SPAK dhe vettingun në politik.
“E informova mbi propozimin tonë të depozituar tashmë në parlament për vetting-un e politikanëve, një nismë që synon të largojë nga politika politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin”, shkruan Basha.
Basha ka bërë me dije se gjatë takimit janë diskutuar një sërë sfidash me të cilat po përballet Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe komuniteti Euro-Atlantik sot.
Ndër të tjera, pjesë e diskutimeve kanë qenë dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, përpjekjet e vazhdueshme për ndarjen dhe destabilizimin e Bosnje Hercegovinës nga Dodic dhe koalicioni i ri qeverisës në Malin e Zi.
“Theksova domosdoshmërinë, që Kosova të nisë sa më parë procesin e anëtarsimit në NATO dhe në funksion të paqes së qëndrueshme në rajon, hapjen e këtij procesi përmes heqjes së pengesave nga 4 vendet anëtare që akoma nuk e kanë formalizuar njohjen e saj”, shprehet Basha.
Reagimi i Lulzim Bashës
Kënaqësi të takoja sot në Londër, Lordin David Richards së bashku me sekretarin për Sigurinë Kombëtare dhe koordinimin Euro-Atlantik në PD, Xhemal Gjunkshin. Gjatë takimit diskutuam për një sërë sfidash me të cilat po përballet Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe komuniteti Euro-Atlantik sot.
U ndalëm tek përpjekjet e SPAK-ut, në luftën kundër korrupsionit dhe domosdoshmërinë për të çuar përpara drejtësisë këdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve. E informova mbi propozimin tonë të depozituar tashmë në parlament për vetting-un e politikanëve, një nismë që synon të largojë nga politika politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Diskutuam për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe sfidat aktuale pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, përpjekjet e vazhdueshme për ndarjen dhe destabilizimin e Bosnje Hercegovinës nga Dodic dhe koalicioni i ri qeverisës në Malin e Zi, ku në përbërje të saj janë persona të njohur për qëndrimet e tyre destruktive dhe lidhjet me Moskën. Theksova domosdoshmërinë, që Kosova të nisë sa më parë procesin e anëtarsimit në NATO dhe në funksion të paqes së qëndrueshme në rajon, hapjen e këtij procesi përmes heqjes së pengesave nga 4 vendet anëtare që akoma nuk e kanë formalizuar njohjen e saj.
U ndalëm edhe te agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat që ka shkaktuar ai. Lordi Richards mirëpriti avancimin e rezolutës mbi Mbështjen e Rindërtimin të Ukrainës, në Këshillin e Europës.
E falenderova Lordin Richards për kontributin që Britania e Madhe ka dhënë për Shqipërinë në momente të rëndësishme për vendin. Partia Demokratike duke e konsideruar Britaninë e Madhe një aleat strategjik, është e angazhuar që me miqtë e saj në këtë vend, të kontribuojë për avancimin e të drejtave të shqiptare kudo ku ata jetojnë.
