Instituti i Statistikave i ka kthyer përgjigje shkresës së deputetit të PD-së, Ervin Salianji, lidhur me procesin e Censit dhe hakërimit të faqes së INSTAT nga grupi i “Homeland Justice”.

 

INSTAT ka deklaruar se të dhënat e Censit, i cili u realizua gjatë vitit 2023, do të dalin në muajn qershor siç është parashikuar në afat, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë vonesë në publikimin e tyre.

“Nuk ka pasur asnjë vonesë në publikimin e të dhënave të Censit. Ju bëjmë me dije se publikimi i rezultateve të Censit 6 muaj pas përfundimit të proceseve të terrenit janë afatet më të afërta për publikimin e të dhënave të Censit sipas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje.

Instituti i Statistikave ka treguar se kosto totale e parashikuar për Censin e Popullisë dhe Banesave ka qenë 16.9 milionë euro.

“Kosto totale e parashikuar e Censit të Popullisë dhe Banesave ka qenë 16.9 milionë euro (gjendet dhe në planin vjetor të dërguar nga INSTAT në Kunvendin e Shqipërisë). Duhet të theksojmë që aktiviteti i Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 nuk përfundon me mbylljen e grumbullimit të të dhënave në terren apo dhe anketën e post Censit”, shpjegon institucioni.

Ndërsa shpjegon se aktualisht INSTAT është në fazën e kodifikimit të klasifikimeve dhe pastrimit të dublikateve deri në publikimin e rezultateve kryesore në qershor.

“Sipas planit të shpërndarjes do të vazhdohet me: Publikimin e rezultateve përfundimtare të Censit në nivel qarku/bashkie në muajin Tetor 2024, ndërkohë në muajin Dhjetor 2024 INSTAT ka parashikuar të dërgojë të dhënat e Censit dhe metadatat në Eurostat. Më tej do të vazhdohet me studimin e thelluar të të dhënave të Censit ku do të kryhen dhe analizat tematike”, thuhet në përgjigjen e kthyer ndaj deputetit Salianji.

Përgjigjet e INSTAT ndaj shkresës së Ervin Salianjit:

Kur do të publikohen të dhënat e Censit të realizuar gjatë vitit 2023?

Rezultatet kryesore të Censit 2023 do të publikohen në muajin Qeshor 2024, sikurse janë parashikuar në planin e publikimeve të Censit, si dhe paraqitur në Planin Vjetor, 2024 të INSTAT në Kuvend. Në faqen zyrtare të INSTAT gjendet informacioni kronologjik mbi publikimin e rezultateve të Censit 2023.

Cili ka qenë afati i parashikuar për publikimin e këtyre të dhënave?

Siç e kemi sqaruar dhe më sipër, afati për publikimin e të dhënave ka qenë Qershor 2024 për rezultatet kyesore, dhe në vijim për të dhënat e tjera në nivel të detajuar.

Cilat janë arsyet e vonesës së publikimit të këtyre të dhënave?

Nuk ka pasur asnjë vonesë në publikimin e të dhënave të Censit. Ju bëjmë me dije se publikimi i rezultateve të Censit 6 muaj pas përfundimit të proceseve të terrenit (mbledhja e të dhënave, dhe anketa e post Censit) janë afatet më të afërta për publikimin e të dhënave të Censit sipas standardeve ndërkombëtare (Regulation (EC) No.763/2008 on Population and Housing Censuses).

A ka pasur ndonjë ndërhyrje nga ndonjë institucion i pushtetit qendror apo vendor lidhur me publikimin e këtyre të dhënave?

INSTAT është një institucion i pavarur i cili është në varësi të Kuvendit të Shqipërisë, sipas ligjit NR. 17/2018 PËR STATISTIKAT ZYRTARE. Ai udhëhiqet nga parimet e profesionalizmit, transparencës dhe besueshmërisë së statistitikave zyrtare të cilat i ka të shprehura në ligjin për statistikat. Mbi këto parime INSTAT monitorohet çdo vit nga institucionet ndërkombëtare, sidomos ato të BE-së, ku dhe qëndrimet e tyre janë të shprehura në raporte të ndryshme. Siç edhe ju duhet të jeni në dijeni, në raport progresin e KE nuk ka asnjë rresht ku vë në dyshim pavarësinë apo profesionalizmin e INSTAT.

A rrezikon vonesa në publikimin e këtyre të dhënave ndërhyrje të paautorizuara me qëllim manipulimin apo shtrembërimin e tyre?

Siç e sqaruam më lart, nuk ka vonesa në publikimin e të dhënave. Ato janë sipas planit të parashikuar dhe publikuar prej kohësh në faqen zyrtare të INSTAT, kësisoj nuk ka vend për asnjë dyshim të tillë.

Cilat janë masat konkrete të sigurisë të marra nga institucioni juaj me qëllim garantimin e vërtetësisë dhe saktësisë së të dhënave?

Në zbatim të legjislacionit në fuqi për statistikat zyrtare, mbrojtjen e të dhënave personale dhe politikës së institucionit lidhur me sigurinë e informacionit, të dhënat mbrohen përmes proceseve teknike të enkriptimit; kontrollit dhe kufizimit të aksesit, duke u bazuar në parimin e aksesit minimal të nevojshëm për të kryer funksionet e punës; mekanizmave të autentifikimit që sigurojnë akses vetëm nga përdoruesit e autorizuar; monitorimit të aktivitetit gjatë mbledhjes apo përpunimit të të dhënave.

Sa ka qenë kostoja totale për realizimin e Censit dhe a ka krijuar kosto shtesë vonesa në publikimin e të dhënave?

Kosto totale e parashikuar e Censit të Popullisë dhe Banesave ka qenë 16.9 milionë euro (gjendet dhe në planin vjetor të dërguar nga INSTAT në Kunvendin e Shqipërisë). Duhet të theksojmë që aktiviteti i Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 nuk përfundon me mbylljen e grumbullimit të të dhënave në terren apo dhe anketën e post Censit. Aktualisht INSTAT është në fazën e kodifikimit të klasifikimeve dhe pastrimit të dublikateve deri në publikimin e rezultateve kryesore në muajin Qershor 2024.

Më tej, sipas planit të shpërndarjes do të vazhdohet me: Publikimin e rezultateve përfundimtare të Censit në nivel qarku/bashkie në muajin Tetor 2024, ndërkohë në muajin Dhjetor 2024 INSTAT ka parashikuar të dërgojë të dhënat e Censit dhe metadatat në Eurostat. Më tej do të vazhdohet me studimin e thelluar të të dhënave të Censit ku do të kryhen dhe analizat tematike.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re