Nga Blendi Gashi

Dy politikanët e rinj për nga mosha, Shpend Ahmeti dhe Mimoza Kusari-Lila, zyrtarizuan të enjten marrëveshje për bashkëqeverisje komunale në Prishtinë, sipas së cilës partia Alternativa nga tani do të udhëheq me Drejtorinë e Mirëqenies Sociale në këtë komunë.

Në foton e publikuar nga pritja që i bëri kryesocialdemokratit, Kusari-Lila shihet e buzëqeshur, pra e lumtur me marrëveshjen e arritur, ndërsa në takim ka marrë pjesë ish-miku i Ahmetit, themeluesi tjetër i Alternativës, Ilir Deda.

Kjo parti përmes kumtesës thotë se do të punoi në maksimum të zhvillojë strategjitë dhe planet në të mirë të qytetarëve të kryeqytetit në Drejtorinë që do e udhëheq.

Kjo marrëveshje padyshim se është e leverdishme për Alternativën pasi merr pushtet në kryeqytet, por në të kaluarën Kusari-Lila edhe pse një mike e Ahmetit, ka pasur jo pak kritika për punën e tij, ku në raste të caktuar edhe e ka tallur.

Sa ishte kryetare e Gjakovës, Kusari – Lila bëri shaka me autobusët e sjellë në Prishtinë nga Ahmeti.

Ajo komentoi në një nga postimet e një gazetari, duke cilësuar si zbavitje çështjen e autobusëve në Prishtinë.

“…shumë je ty u zbavit me temën e autobusëve.. U kënaqe ty bo hajgare, në shërbim të zbavitjes, qe disa smiley’s me ngjyrë të autobusave”, komentoi ajo në janar të 2017-tës.

Por ky nuk ishte komenti i vetëm, pasi ajo pasoi dhe me një replikë tjetër duke thënë: “Na në Gjakovë mundemi me ju këndu këngën: ‘autobusi me dy drita shkon e ndalet te sta…..cioni’. Të ish bile metro ose tramvaj e kishim bo Metropol”, shkruante Kusari – Lila

Ajo u shpreh mjaft kritike ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për të ndalur komunikacionin në një pjesë të kryeqytetit në ditët kur Prishtina përballej me ajër tejet të ndotur.

Ajo vendimin e quajti më shumë reagim nga presionit qytetarë, për të treguar se po merret një masë.

“Besoj që shumë më e rëndësishme është zbatimi i Udhëzimi Administrativ që parasheh normat e shkarkimit të gazrave nga veturat. Masë tjetër duhet të jetë gjithashtu edhe kontrolli teknik i makinave, që them të drejtën bëhet vetëm sa për sy e faqe. Ne jemi dëshmitarë se sot makinat shkojnë, bëjnë pagesën në kontrollim teknik vetëm për të marrë dokumentin e nevojshëm për regjistrim të veturës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ndalimi i lëvizjes së makinave ka sjellë një ndjenjë të pasigurisë dhe të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Kryeqytetit i duhen disa masa më të shpejta, të vendosen disa rregulla, shirita për biçikleta, e të tjera”, pohoi Kusari-Lila.

Mbetet të shihet nëse kryetarja e Alternativas do të ironizoi me Ahmetin pas ardhjes së kontigjentit të 21 autobusëve të tjerë të rinj të cilët edhe përkundër premtimeve ende nuk kanë arritur në kryeqytet, apo qoftë edhe për ndotjen eventuale të ajrit.

Kujtojmë se nr.2 të Alternativës, Ilir Deda aspak nuk i pëlqeu lidhja e koalicionit që Ahmeti bëri sa ishte në VV me AKR-në e Pacollit (me të cilën parti do jetë tash edhe partia e tij në bashkëqeverisje), me ç’rast kërkoi që marrëveshja në mes dy palëve të publikohet.

“A ka mundësi të publikohet marrëveshja VV-AKR për Prishtinën, që t’a dijë çdo qytetar në cilat pika programore ka pas dakordim të dy partive?”, shkruajti Deda.

Mbetet të shihet se ç’do të thotë ai për koalicionin që lidhi partia e tij me ish-mikun Ahmeti, ku më 2010 garuan me partinë Fryma e Re (FER), por pas dështimit prishën raportet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re