Ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore aktori i madh Robert Ndrenika.
Atë e kanë përfshirë sërish në çështjen e Teatrit, pas deklaratës së fortë që ai bëri para disa muajsh.
Dje, aktori i mirënjohur Guljelm Radoja, në lidhje me çështjen e nxehtë të Teatrit, iu drejtua kolegut të tij, Robert Ndrenika, edhe pse pa emër, i cili qe një nga nismëtarët dhe figurat simbol të mbrojtjes së Teatrit deri në ditët e fundit të korrikut.
Në lidhje me deklaratën e kolegut të tij, “Panorama” ka kontaktuar mbrëmë aktorin Robert Ndrenika, i cili ka pohuar se është në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.
“Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën”, thotë Ndrenika.
Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.
Ndrenika që në fillim të protestave është shprehur për nevojën e ngutshme për një teatër të ri, duke këmbëngulur që asnjë pjesë të mos i kalojë privatit. Së njëjtës deklaratë i qëndron edhe sot, duke shpresuar për një teatër më të mirë për brezin e ri.