Kur kam nevojë për një analizë më të saktë mbi Izraelin, telefonata e parë që bëj gjithmonë është me mikun tim të vjetër dhe kolegun, Nahum Barnea, një kolumnist veteran i gazetës Yediot. Kur e telefonova të shtunën pasdite për të kuptuar rreth sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, u habita nga përgjigja e tij e parë: “Kjo është dita më e keqe që mund të kujtoj në aspektin ushtarak në historinë e Izraelit, duke përfshirë gabimin e Lustës së Yom Kipurit, e cila ishte e tmerrshme.”

Nahumi është një reporter i kujdesshëm, i cili ka mbuluar çdo ngjarje madhore në Izrael prej gjysmë shekulli, dhe kur ai shpjegoi arsyetimin e tij, e kuptova se ishte një nënvlerësim.

Kjo nuk është një zënkë e zakonshme midis Hamasit dhe Izraelit. Kufiri Gaza-Izrael është vetëm 60 km i gjatë, por valët tronditëse që do të shkaktojë kjo luftë jo vetëm që do ta shtyjnë Izraelin dhe palestinezët e Gazës në trazira, por gjithashtu do të përplasen në Ukrainë dhe Arabinë Saudite, e me shumë gjasa edhe në Iran. Pse? Çdo luftë e zgjatur Izrael-Hamas mund të devijojë në më shumë pajisje ushtarake amerikane të nevojshme për Kievin në Tel Aviv dhe do ta bëjë të pamundur marrëveshjen e propozuar të normalizimit saudito-izraelit – për momentin. Dhe nëse rezulton se Irani e ka nxitur sulmin e Hamasit për të prishur marrëveshjen izraelito-saudite, kjo mund të rrisë tensionet midis Izraelit dhe Iranit dhe përfaqësuesit libanez të Teheranit, Hezbollahut, dhe gjithashtu midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Ky është një moment tepër i rrezikshëm në shumë fronte.

Por duke u kthyer te pika e Nahumit: Pse kjo luftë është një fatkeqësi e tillë për Izraelin, më e keqe se sulmi i befasishëm i Yom Kipur nga Egjipti dhe Siria, që ndodhi 50 vjet më parë? Si fillim, tha Nahumi, ky është një poshtërim total për ushtrinë izraelite: “Në vitin 1973 ne u sulmuam nga ushtria më e madhe arabe, Egjipti”.

Këtë herë, Izraeli u pushtua në 22 vende jashtë Rripit të Gazës, duke përfshirë komunitete deri në 15 milje brenda Izraelit, nga një forcë ushtarake e barabartë me “Luksemburgun”. E megjithatë, kjo forcë e vogël jo vetëm që pushtoi Izraelin, duke mposhtur trupat kufitare izraelite; ajo mori pengjet izraelitë në Gaza matanë të njëjtit kufi – një kufi ku Izraeli kishte shpenzuar afërsisht 1 miliard dollarë për të ngritur një pengesë që supozohej të ishte praktikisht e padepërtueshme. Kjo është një goditje tronditëse për aftësitë parandaluese të Izraelit.

Së dyti, vuri në dukje ai, Izraeli ka qenë gjithmonë krenar për aftësinë e shërbimeve të tij të inteligjencës për të depërtuar te Hamasi dhe militantëi palestinezë në Bregun Perëndimor dhe për të marrë paralajmërime të hershme. Gjatë javëve të fundit, siç e di kushdo që ndjek lajmet nga Izraeli, Hamasi po kryente ato që dukeshin si manovra stervitore për këtë lloj sulmi përgjatë kufirit të Gazës – pikërisht para syve të ushtrisë izraelite.

Por duket se inteligjenca izraelite i interpretoi këti lëvizje sikur Hamasi thjesht po përpiqej të provokonin krerët e ushtrisë izraelite dhe t’i bënin komandantët paksa nervozë, e jo si një prelud për një sulm. Inteligjenca izraelite me sa duket besonte se Hamasi kishte nevojë dëshpërimisht për më shumë ndihmë financiare nga Katari, i cili i ka dhënë Hamasit mbi 1 miliard dollarë ndihmë që nga viti 2012 dhe leje pune për banorët e Gazës për të punuar në Izrael – ndërsa Izraeli dhe Katari gjithmonë kanë kërkuar një kufi të qetë në këmbim.

“Interpretimi i inteligjencës ishte se, ata po stërviteshin për diçka që nuk do të guxonin ta bënin kurrë,” tha Nahum. “Ishte gjykim i keq dhe arrogant.” Përkundrazi, Hamasi nisi një pushtim tepër kompleks dhe të sofistikuar nga toka dhe deti.

Por tani arrijmë te pjesa vërtet e tmerrshme për Izraelin. Hamasi jo vetëm që ishte në gjendje të kalonte në Izrael dhe të sulmonte komunitetet dhe bazat e ushtrisë izraelite, por ishte gjithashtu në gjendje të rrëmbente një numër izraelitësh – siç thuhet duke përfshirë disa të moshuar, fëmijë dhe të paktën një ushtar – dhe t’i merrte në Gaza. Fotot e Associated Press “tregonin një grua të moshuar izraelite të rrëmbyer duke u kthyer në Gaza me një karrocë golfi nga njerëz të armatosur të Hamasit dhe një grua tjetër të shtrënguar mes dy luftëtarëve në një motoçikletë,” raportoi AP. Në internet po qarkullonin foto të trupave izraelite të çuar në Gaza dhe të tërhequr zvarrë në rrugë.

Në të njëjtën kohë, luftëtarët palestinezë morën peng grupe izraelite në komunitetet kufitare Be’eri dhe Ofakim, por ata u liruan më pas nga forcat speciale izraelite.

Ky do të jetë një problem i madh për Izraelin. Në një mandat të mëparshëm, në vitin 2011, kryeministri Benjamin Netanyahu shkëmbeu 1027 të burgosur palestinezë, përfshirë 280 me burgim të përjetshëm, për të liruar një ushtar izraelit, Gilad Shalit, nga Hamasi në Gaza. Bibit mund t’i kërkohet të zbrazë të gjitha burgjet izraelite me palestinezë, nëse Hamasi mban të moshuar dhe fëmijë në Gaza, vuri në dukje Nahum.

Netanyahu premtoi të shtunën se do t’i japë një goditje dërrmuese Hamasit në Gaza, por po sikur Hamasi të mbajë civilë izraelitë që mund të përdoren si mburoja njerëzore? Kjo do ta zvogëlojë hapësirën e Izraelit për hakmarrje.

“Çfarëdo që do të bëjë ushtria (izraelite) në Gaza në vazhdim do të duhet që të marrë parasysh ndikimin që mund të ketë kjo në jetën e pengjeve civile,” tha Nahum.

Në fund, vuri në dukje Nahum, kokat e ushtrisë bashkë me kryeministrin, i cili kryeson kabinetin e sigurisë, e dinë që tani se në vazhdim do të ketë ndoshta një lloj komisioni hetimor për mënyrës si u lejua të ndodhte pushtimi nga Hamasi.

Kështu që tani ata duhet ta bëjnë këtë luftë, të marrin vendime të vështira mes parandalimit, hakmarrjes, kthimit të pengjeve nga Hamasi dhe ndoshta edhe pushtimit të Gazës, duke e ditur gjatë gjithë kohës se edhe nëse i menaxhojnë të gjitha këto në mënyrë perfekte, një lloj hetimi i pret në fund të rrugës. Nuk është e lehtë të mendosh drejt në këto kushte.

Siç ka vënë në dukje kjo rubrikë që kur Netanayhu u kthye në pushtet, politika e tij e përçarjes i ka shkaktuar dëme të tmerrshme Izraelit. Bibi i dha përparësi një grushti gjyqësor për t’i hequr Gjykatës së Lartë izraelite fuqinë për të mbikëqyrur qeverinë e tij – ndaj të gjitha përparësive të tjera. Në këtë proces ai përçau shoqërinë izraelite dhe ushtrinë e saj. Dhe njerëzit kanë paralajmëruar me muaj se sa e rrezikshme mund të jetë kjo. Vetëm këtë javë citova një ish-drejtor të përgjithshëm të Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Dan Harel, i cili kishte thënë në një tubim mbi demokracinë në Tel Aviv se “asnjëherë nuk e kam parë sigurinë tonë kombëtare në një gjendje më të keqe” dhe se tashmë ka pasur dëmtime në njësitë rezervë të formacionet thelbësore të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit,” që ka reduktuar gatishmërinë dhe aftësinë operacionale”.

Por sado i keq që ka qenë Netanyahu për Izraelin, Hamasi ka qenë një mallkim vdekjeprurës për popullin palestinez që kur mori kontrollin e Gazës në vitin 2007. Mbi një miliardë dollarët ndihmë që ka marrë vetëm nga Katari gjatë viteve mund të kishin shkuar në ndërtimin e Gazës për një shoqëri produktive, me shkolla, universitete dhe infrastrukturë të mirë, që mund të kishte shërbyer si model për një shtet të ardhshëm palestinez bashkë me Bregun Perëndimor. Në vend të kësaj, Hamasi ia ka kushtuar pjesën më të madhe të energjive dhe burimeve të tij gërrmimit të tuneleve në Izrael dhe ndërtimit të raketave në përpjekje për të shkatërruar një armik shumë më të fuqishëm, duke i privuar kështu banorët e Gazës nga çdo mundësi për të realizuar potencialin e tyre të plotë, nëpërmjet një qeverie të denjë, demokratike dhe produktive.

Pse Hamasi e nisi këtë luftë tani, pa ndonjë provokim të menjëhershëm? Dikush duhet të pyesë veten se nëse kjo nuk ka qenë në emër të popullit palestinez, por me urdhër të Iranit, një furnizues i rëndësishëm i parave dhe armëve për Hamasin, për të ndihmuar në parandalimin e normalizimit të ri të marrëdhënieve midis Arabisë Saudite, rivalit të Iranit dhe Izraelit. Një marrëveshje e tillë, siç po hartohej, do të ishte përfituese gjithashtu edhe për Autoritetin Palestinez më të moderuar të Bregut Perëndimor – duke i ofruar atij një infuzion të madh parash nga Arabia Saudite, si dhe frenimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe përparime të tjera për të ruajtur një zgjidhje me dy shtete. Si rezultat, liderët e Bregut Perëndimor mund të kenë fituar një legjitimitet dëshpërimisht të nevojshëm nga masat palestineze, duke kërcënuar legjitimitetin e Hamasit.

Marrëveshja SHBA-Saudi-Izrael do të kishte qenë gjithashtu një tërmet diplomatik që ka shumë të ngjarë të kërkonte që Netanyahu të largonte anëtarët më ekstremë të kabinetit të tij në këmbim të krijimit të një aleance midis shtetit hebre dhe shteteve të Gjirit Persik të udhëhequr nga sunitët kundër Iranit. Së bashku, do të kishte qenë një nga zhvendosjet më të mëdha në pllakat tektonike të rajonit në 75 vjet. Në vazhdën e këtij sulmi të Hamasit, kjo marrëveshje është tani në ngrirje të thellë, pasi sauditëve u është dashur të lidhen më ngushtë se kurrë me interesat palestineze, e jo vetëm me interesat e tyre.

Në të vërtetë, brenda disa orësh pas pushtimit të Hamasit, Arabia Saudite lëshoi një deklaratë ku deklaronte, sipas rrjetit Al Arabiya: “Mbretëria po ndjek nga afër zhvillimet e paprecedenta midis një numri fraksionesh palestineze dhe forcave okupuese izraelite”, duke shtuar se ka “paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për pasojat e [përkeqësimit] të situatës si rezultat i pushtimit, si dhe për privimin e popullit palestinez nga të drejtat e tij legjitime dhe për (mosndalimin) e provokimeve sistematike kundër (vendeve) të tyre të shenjta.”

Po shikoj sesi tërmeti Hamas-Izrael do të shkaktojë një tjetër tërmet.

Ukraina po përballej me tërmetet në qeverinë amerikane. Përmbysja e kryetarit të Dhomës, e kombinuar me një pakicë gjithnjë e më të zëshme ligjvënësish republikanë – tronditëse për mua – që dolën kundër çdo ndihme ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, ka krijuar një rrëmujë politike që ka rezultuar, për momentin, që në SHBA të mos miratohet ndihmë e mëtejshme për Ukrainën. Nëse Izraeli do të pushtojë Gazën dhe do të nisë një luftë të gjatë, Ukraina do të duhet të shqetësohet për konkurrencën nga Tel Avivi për raketat Patriot, si dhe predhat e artilerisë 155 milimetrash dhe armatime të tjera bazë për të cilat Ukraina ka nevojë dëshpërimisht për më shumë dhe Izraeli me siguri do ta bëjë gjithashtu.

Vladimir Putin ka vënë re të enjten e kaluar në vendpushimin e Detit të Zi në Soçi, ai tha se Ukraina po mbështetej “falë donacioneve shumë miliardash që vijnë çdo muaj”. Ai shtoi: “Vetëm imagjinoni nëse ndihma ndalon nesër, Ukraina do të jetojë vetëm një javë derisa t’i mbarojë municioni”.

A mund të vijë ndonjë e mirë nga kjo luftë e re e tmerrshme Hamas-Izrael? Është shumë herët për ta thënë, por një tjetër mik dhe analist i vjetër izraelit të cilit i besoj, Prof. Victor Friedman (pa lidhje me mua), i cili jep mësim shkencën e sjelljes në Kolegjin Jezreel Valley në Izraelin qendror dhe e njeh shumë mirë komunitetin arab izraelit, më shkroi vonë sot duke thënë: “Kjo situatë e tmerrshme është ende një mundësi, ashtu si Lufta e Yom Kipurit doli të ishte një mundësi që përfundoi me një marrëveshje paqeje me Egjiptin. E vetmja fitore e vërtetë do të jetë nëse ajo që do të ndodhë më pas – ndoshta duke shkuar Izraeli në Gaza – krijon kushte për një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme me palestinezët.”Në dritën e asaj që palestinezët bënë sot, tha ai, ata mund të “pohojnë për një ‘fitore’, pavarësisht se çfarë do të ndodhë më pas”. Çështja është, shtoi ai, “Dikush duhet të mendojë përtej idesë se dhuna kërkon më shumë dhunë.”

Personalisht, nuk besoj se Hamasi mund të jetë ndonjëherë partner për një paqe të sigurt me Izraelin. Hamasi ka pasur shumë shanse për shumë vite për të provuar se përgjegjësitë e qeverisjes në Gaza do të moderonin qëllimin e tyre për të shkatërruar shtetin hebre. Rezulton se nuk është gjë tjetër veçse një mafia palestineze, e interesuar vetëm të ruajë kontrollin e saj në Gaza dhe të jetë gati të shërbejë si putra e maces për Iranin në vend që të bëjë qëllimin e tij kryesor një të ardhme të re për palestinezët atje dhe në Bregun Perëndimor. Historia e sundimit të saj në Gaza është e turpshme.

Por Autoriteti Palestinez mund të jetë një partner. Pra, nëse do të ketë një pushtim izraelit të Gazës në përpjekje për të shkatërruar Hamasin, ai duhet të shoqërohet me një iniciativë politike që fuqizon dhe ndihmon për të forcuar Autoritet Palestinez në mënyrë që ne të mund të krijojmë, siç e tha Victor, “një zgjidhje që u siguron të gjitha palëve diçka me të cilën mund të jetojnë. Përndryshe, herët a vonë, do të kthehemi menjëherë në të njëjtën situatë – në mos më keq. Ky ishte mësimi i vërtetë i Luftës së Yom Kipurit.”

*Thomas L. Friedman është kolumnist i New York Times për çështjet e jashtme. Ai i është bashkuar gazetës në vitin 1981 dhe ka fituar tre çmime Pulitzer. Është autor i shtatë librave, përfshirë “Nga Bejruti në Jerusalem”, i cili fitoi Çmimin Kombëtar të Librit.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re