Tre krerët e grupit parlamentar të opozitës, Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku zhvilluan një takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi për të biseduar mbi fatin e reformës zgjedhore, ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Opozita parlamentare ka kërkuar takim urgjent me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Ultimatumit për takimin brenda 48 orësh, i është përgjigjur pozitivisht kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili i priti në zyrën e tij.
Në njoftimin zyrtar të zyrës së Kuvendit bëhet e ditur se “Ruçi, vlerësoi produktivitetin dhe kontributin e grupeve parlamentare të opozitës në realizimin e reformave të rëndësishme në vend, si reforma në drejtësi, votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, zgjedhja e anëtarëve të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë etj. dhe nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni legjitim për kryerjen e reformës, duhet dhe do të respektojë sensibililitet e të gjithë grupeve parlamentare për realizimin e ndryshimeve ligjore në kuadrin e reformës zgjedhore”.
Por një qëndrim i tillë duket se nuk ka bindur tre krerët e grupeve parlamentare të opozitës, të cilët në bllok kanë deklaruar se janë në pritje të takimit tjetër me kryeministrin Edi Rama. Murrizi, Musai dhe Stojku deklaruan se nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre për listat e hapura dhe ndryshimin e sistemit ato nuk do ta votojnë.
“Ne jemi përfaqësues të institucionit më të lartë vendit jemi të detyruar të veprojmë institucionalisht. Diskutuam opsionet e këshillit politik dhe të OJF-të, kemi dy elementë të rëndësishëm, faktorët dhe aktorët jemi. Faktorët janë të ftuar të japin mendime të tyre, por aktorët që kanë të drejtën ligjore për ta miratuar jemi vetëm ne. Kemi një listë prej 39 deputetësh, t’i japim fund sundimit në dy bajraqeve”, tha Stojku.
Opozita parlamentare ka marrë vendimin për bojkotimin e konferencës së kryetarëve dhe të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, pasi duan ta kenë në kryeaxhendë reformën zgjedhore.
Kryetari i grupit parlamentar “Demokrat”, Myslim Murrizi në lidhje me rrjedhjen e votave u shpreh se nuk e di se kush janë 6 deputetët nga opozita e re, por bëhet diversion.
“Askush brenda apo jashtë institucioneve legjitime nuk mund të tallet me solemnitetin e votës sonë. Po e presim në respekt kryeministrin që ai të na kthejë përgjigje kërkesës sonë. Sot duhet reformë zgjedhore jo arnime zgjedhore. Jam deputet dhe si deputet i grupit parlamentar që përfaqësoj nuk do ta votoj arnimin e kodit zgjedhor nëse nuk merren parasysh kërkesat tona”, deklaroi Murrizi.
Ndërsa deputeti Musai duke qenë i bindur se nuk do të ketë rrjedhje të votave nga opozita, u shpreh se “ne nuk do ta votojmë këtë produkt të 5 qershorit, ku arrit marrëveshja me ndërmjetësimin e ambasadorëve”.
/shqip
