Mbi 12 orë protestë nuk kanë mjaftuar për të ndërtuar një komunikim mes studentëve të Universiteteve të Tiranës dhe dhjetëra të rinj sfiduan temperaturat nën zero dhe qëndruan përpara godinës së Kryeministrisë me shpresën për të marrë një përgjigje, lidhur me kërkesat e tyre.

Zogu-ziii3

Të pakoordinuar, por të vendosur për t’i shkuar deri në fund qëllimit të tyre, studentët kanë dakordësuar për të bllokuar edhe sot mësimin në universitete dhe gjimnazet e Tiranës. Kërkesa e studentëve, njësoj si një ditë më parë, është mbështetur edhe pedagogët dhe Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare.

PROTESTA

Pa një drejtues dhe me shumë megafona në duar, studentët e nisën ditën e 8- të të protestës së tyre nga tetë fakultete të ndryshme. Në orën 08:30 grumbullimet e studentëve nisën në Fakultetin e Mjekësisë, te Shkencat Sociale, te Shkencat e Natyrës, tek Inxhinieria e Ndërtimit, tek Ekonomiku, tek Juridiku dhe tek Universiteti Bujqësor në Kamzë.

Zogu zi

Me thirrjet për të plotësuar të gjitha kërkesat e renditura në letrën e dërguar në Kryeministri, Kuvend dhe Ministrinë e Arsimit, studentët u vendosën përpara zyrës së ministres Lindita Nikolla në orën 10:00. Protesta e mbështetur edhe nga gjimnazistët dhe studentët e ardhur nga disa rrethe nisi me një ultimatum për qeverinë: Ju presim deri në orën 16:00. Sipas studentëve, ky orar do të përbënte fundin e pritjes për të parë një “VKM” apo “Urdhër” në lidhje me tetë kërkesat e tyre. Pas kësaj ore studentët deklaruan se do të përshkallëzojnë veprimet.

PËRPLASJA

Kur kishte ngelur edhe 1 orë e 25 minuta nga përfundimi i afatit të vendosur nga vetë studentët, disa prej protestuesve propozuan që nëse deri në orën 16:00 do të mungonte një përgjigje nga Rama, atëherë protesta do të duhej te zhvendosej përpara Kryeministrisë. Ky propozim nuk mori pëlqimin e shumicës dhe u bë shkas për një përplasje të brendshme.

Ishin thirrjet nga megafonat “Mos u përçani”, ato që ulën tensionet dhe rikthyen normalitetin në shesh. Ora 16:00. Sytë e studentëve u drejtuan nga smartfonët për të parë nëse kishte pasur një vendim qeverie. Mungesa e një vendimmarrjeje të tillë u shoqërua me vezë dhe qindra shishe plastike të hedhura në drejtim të godinës së ministrisë. Grupi që propozoi zhvendosjen drejt Kryeministrisë u tërhoq nga kërkesa e parë, por propozoi që përshkallëzimi të bëhej duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në rrethrrotullimin e Zogut të Zi. Vendimi u përkrah nga pjesa më e madhe e studentëve, e cila e vendosur në katër drejtimet e ndryshme të rrethrrotullimit paralizoi trafikun për mbi tri orë në kryeqytet.

9d20cfda-63e2-482e-be98-ef715eee395f

Një pjesë e protestuesve qëndroi përpara godinës së Ministrisë së Arsimit dhe një tjetër grup u zhvendos përpara Kryeministrisë. Kjo mungesë koordinimi e studentëve u komentua edhe nga Kryeministri Rama, i cili përmes një statusi në “Facebook” premtoi se nuk do të lejojë t’i përçajnë. “Ju mbytën me presionin kundër dialogut se do t’ju përçaja unë, po tani kush ju përçau?! Mos e vrisni mendjen, unë jam me studentët, jo me maskat e LSI e PD dhe s’ju lë në baltë. Jo ato pikat, po shumë më tepër se aq do bëjmë së bashku. Me të nisur dialogun, s’ndalemi më #përUniversitetin”, u shpreh Kryeministri. Por studentët sërish nuk u tërhoqën.

Përmes disa hapësirave online, të rinjtë vendosën të komunikojnë për organizimin e sotëm, i cili sërish do të prodhojë një protestë, e cila nuk ka të qartësuar nëse do të zhvillohet sërish te Ministria e Arsimit apo përpara godinës së Kryeministrisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re