Pas protestës së banorëve të Unazës, janë studentët ata që janë “ngritur” kundër qeverisë. Më saktësisht, ata të Fakultetit të Ndërtimit, Arkitekturës dhe Urbanistikës, nuk pranojnë vendimin e datës 21 maj 2018, që sanksionon se të gjithë studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë janë të detyruar t’i nënshtrohen tarifës së shkollimit për kreditet në lëndët përsëritëse, teksa vijojnë studimet në vitin pasardhës.

“Na kërkohet tarifë shtesë për provimet e mbartura 670 lekë për një kredit. Një lëndë më e pakta ka 5 kreditë, por ka edhe me 14 kredite. I bien sa herë të hyjmë në provim të paguajmë. Nuk mund të lemë dot më as provime për përmirësim, pasi duhet të paguajmë tani. Protestat do të vijojnë”, thanë ata.

E, përveç kërkesës për heqjen e kësaj lloj pagese, studentët gjithashtu kërkojnë që pagesa për tarifën e shkollës të bëhet në janar e jo tani.

Ata i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit, aty ku u tubuan për të protestuar nën zyrat e krerëve të dikasterit. Zv.Ministrja nga Kosova Besa Shahini, u ka kërkuar që të ulen e bisedojnë.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re