Me shpresë të Zotit tash do t’i kthehemi Tomorrit.

Europianit po i vjen fundi, anglezët ose italianët do të gëzohen. Po ne beratasit? I duhet kthyer paksa “Tomorrit” të braktisur tash më se një muaj kur i kemi qarë hallin Anglisë dhe Italisë, i kemi treguar madje se ç’ka duhet të bëjnë për të fituar këtë “Euro 2020”. Kemi shkruar, kemi komentuar e diskutuar me “dituri të thella beratase” për ta, si të çmendur, çdo ditë madje, duke u shndërruar “pa pikë turpi” në italianë e anglezë, në gjermanë e francezë, në spanjolë e holandezë. Kemi mbushur faqet e gazetave dhe webit me një çfrenim të paparë. Dhe kemi braktisur “Tomorrin”, se ky nuk “është më ekipi ynë”.

Megjithatë i duhet kthyer. I duhet kthyer për ta bërë atë ekip ashtu siç i takon. Le të shpresojmë se rrogëtarët tanë të sportit nuk ndodhen diku larg Beratit. Le të shpresojmë se ata janë kthyer tashmë. Le të besojmë se ndodhen në zyrë, vendi I tyre kryesor i punës i boshatisur prej kushedi kur. Dhe të mos e fillojnë punën se kë trajner me emër do marrim se nuk është ky problemi jetik i sportit beratas. Le ta fillojnë punën duke menduar më shumë për “Tomorrin” u-19 dhe “Tomorrin” u-17 i cili po zhvillon fazën finale për Kategorin e Parë në Tiranë.

I duhet kthyer halleve e shqetësimeve të shumta të sportit beratas të cilit i mungojnë paratë, terrenet, spektatorët, problemet, njerëzit e pasionuar, rekordet, diku dhe ndershmëria, përgjegjësia, frika e vendit të punës që nuk e ka më askush, aftësia, planet e studiuara, rimbëkëmbja, terrenet për fëmijë, e vërteta sportive, stadium për së mbari, gazetarët e gjuhës beratase.

A do t’i kthehemi “Tomorrit”?
Nuk e di, madje nuk kam fort shpresë kur kujtoj se me të afruar kampionati italian e gjermanë, spanjoll e francezë, prapë rrogëtarët tanë në Bashki do t’i largohen “Tomorrit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re