Nga: Sali Shasivari

Tashmë që u miratua ‘Propozimi Francez’ në lidhje me zgjidhjen e kontestit bullgaro – maqedon përkitazi me identitetin, gjuhën, dhe përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut…; dhe, duke marë parasyshë faktin se, miratimi i këtij ‘propozimi’ e hap rrugën për ndryshime kushtetuese…

Është momenti i volitshëm dhe i duhur – e, besa, ndoshta edhe i fundit – që, një shans i këtillë të shfrytëzohet nga pala shqiptare, edhe atë, duke kërkuar në mënyrë ultimative:

– Garantimin e statusit shtetformues të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, në vend të përkufizimit aktual, i cili, popullin maqedonas e definion si etnos (komb), ndërkaq shqiptarët dhe të tjerët si pakicë nacionale dhe si qytetarë të rendit të dytë (Shih: Preambula e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Amendamenti IV, Pika 1, e cila tingëllon si vijon: ‘Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët të cilët jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë, …’). Kjo, sidomos kur kemi parasyshë faktin se, shqiptarët, paradoksalisht, me verzionet e mëvonshme kushtetutare, duke përfshirë edhe amendamentet kushtetuese pas Marrëveshjes së Ohrit, u degraduan në aspektin juridiko-kushtetues, dhe e humbën statusin shtet-formues të cilin e gëzonin formalisht me Kushtetutën e vitit 1974 (Neni 1 i Kushtetutës së ish Republikës Socialiste të Maqedonisë, të vitit 1974).

– Garantimin e Gjuhës Shqipe si ‘gjuhë zyrtare’ në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, në vend të definimit të saj aktual si “gjuhë e njëzet-përqindëshit” (Shih: Kushtetuta e Republikës të Maqedonisë, Neni 7, Amendamenti V, Pika 1, e cila tingëllon si vijon: ‘… Në njësitë e vetadministrimit lokal gjuha dhe alfabeti që e përdorin së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabeteve, në të cilat flasin së paku 20% e qytetarëve në njësitë e vetadministrimit lokal, vendosin organet e njësive të vetadministrimit lokal. …’); përkufizim ky, i cili është tejet ofendues për shqiptarët.

– Garantimin e barabarësisë së plotë të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në aspekt të statusit juridiko-kushtetues, kulturoro-arsimor, shoqëroro-administrativ, dhe politiko-ekonomik.

– Etj.

Në qoftë se edhe kësaj here politikbërësit shqiptar nuk arrijnë t’i përmirësojnë lëshimet dhe gabimet e kaluara dhe të shtresuara tashmë tri-dekada me rradhë, atëherë, mallkimi i popullit, i historisë, dhe i Zotit ka për t’i ndjekur përgjithmonë si hije; dhe se, të njejtët, do të hyjnë në analet e historisë si mbrojtës të denjë të kauzës bullgaro-maqedone, dhe, si tradhëtarë të interesave kombëtaro-shqipëtare…!

Në këtë aspekt, një barë tejet e madhe bie edhe mbi ‘mëmëdhenë’ Shqipëri, si dhe mbi garniturat e atjeshme politike… Është momenti i fundit që, edhe Shqipëria ta ngrejë zërin e shumëpritur, dhe të shpall ultimatum ndaj autoriteteve maqedonase përkitazi me mbrojtjen e interesave të bashkëkombasve shqiptar në Maqedoninë e Veriut, të cilët po nënçmohet dhe nënshtrohen tashmë dekada me rradhë…!

Në qoftë se Greqia ngriti gjithë atë pluhur – sa që e bllokoi edhe Aleancën Veri-Atlantike (përmes ‘Veto’s së saj përkitazi me anëtarësimin e Maqedonisë) – për të mbrojtur interesat nacionale greke…; dhe, ia arriti qëllimit, edhe atë, deri në atë masë, sa që, e detyroi shtetin fqinj që ta ndryshojë edhe emrin e shtetit…!

Në qoftë se Bullgaria ngriti gjithë këtë pluhur – sa që e bllokoi edhe Unionin Evropian (përmes ‘Veto’s së saj përkitazi me fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut) – për të mbrojtur interesat nacionale bullgare…; dhe, ia arriti qëllimit, edhe atë, deri në atë masë, sa që, e detyroi shtetin fqinj që ta ndryshojë Kushtetutën e vendit…!

A thua vallë, pse Shqipëria nuk është në gjendje që të vendosë ultimatum karshi palës maqedonase, me qëllim të zgjidhjes – një herë e përgjithmonë – të cështjes shqiptare në Maqedoni…?!

Është e vërtetë se Shqipëria nuk posedon ‘Veto’ të llojit grek apo bullgar… Mirëpo, realiteti është se, Shqipëria posedon diç edhe më të rëndësishme se sa ‘Veto’-ja; e, ai është vetë ‘faktori shtetëformues shqiptar’ në Maqedoninë e Veriut…; faktor ky, pa të cilin, Maqedonia e Veriut nuk mund të mbijetojë dhe ekzistojë…!!!

Mirëpo, pyetja qëndron në atë se, sa është e vetëdijshme klasa politike shqiptare në lidhje me një realitet të këtillë…; apose, më mirë thënë, sa ka vullnet klika politike shqiptare që ta vë në lëvizje këtë faktor determinant…?!

Në qoftë se edhe kësaj here klasa politike e ‘mëmëdheut’ Shqipëri nuk arrin që t’u ‘dalë zot’ bashkëkombasve të saj të shtypur dhe të rraskapitur tashmë më se tri-dekada, atëherë, mallkimi i kombit, i historisë, dhe i Zotit ka për t’i ndjekur përgjithmonë si hije; dhe se, të njejtët, do të hyjnë në analet e historisë si mbrojtës të denjë të kauzës maqedono-serbe dhe greko-bullgare, dhe, si tradhëtarë të interesave kombëtaro-shqipëtare…!

Në rast të dështimit eventual – mos dashtë Zoti – të politikbërësve shqiptar në Maqedoni, si dhe të klasës politike të ‘mëmëdheut’ Shqipëri përkitazi me atë që u tha më lartë… Popullit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, si dhe popullit shqiptar në përgjithësi, nuk i mbetet gjë tjetër, përpos që t’i marrin ‘frenat’ e çështjes së tyre në dorë, duke ju dhënë ‘grusht të fortë zuzarëve’, si dhe duke vënë në funksion të gjitha mekanizmat legjitim për zgjidhjen – një herë e përgjithmonë – të kauzës së tyre…!

Përndryshe, mallkimi i gjeneratave të reja, i historisë, dhe i Zotit ka për t’i ndjekur përgjithmonë si hije…!!!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re