Zbardhen ndryshimet kushtetuese te propozuara nga Partia Demokratike duke nisur që nga vettingu i politikanëve, Reforma Territoriale dhe ajo Zgjedhore.

PD ka hartuar një paketë të plotë për pastërtinë e figurës së politikanëve, për të kufizuar ndikimin e krimit dhe korrupsionit te ta.  PD kërkon ndryshim të pikës 3 të nenit 45.

Sipas PD-së, ata politikanë që nuk do të kalojnë Vetting-un, nuk do të mund të kandidojnë. PD kërkon që Vettingu i politikanëve të bëhet nga një trupë e posaçme e SPAK.

“Pranë SPAK ngrihet Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në radhët e funksionarëve të lartë shtetërore, që përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet. Shqyrtimi i çështjes së një funksionari publik për kontrollin e integritetit shqyrtohet nga një Kolegj Vlerësimi i përbërë nga 3 prokurorë nga Sektori i i Luftës ndaj Korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërore, të caktuar rast pas rasti me short,” thuhet në paketën e PD.

Demokratët propozojnë ndryshime në zgjedhje, kur kërkojnë që “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore; zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial; kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, votën preferenciale për kandidatët, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.

“Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”, thuhet në paketën e Partisë Demokratike për miratim në Kuvend. Sa i takon ndërhyrjes në Reformën Territoriale, Partia Demokratike mendon se duhet të rikthehen komunat, për shkak të mungesës së shërbimeve në fshatra që janë shumë të largëta në territor nga bashkitë.

“Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore”, thuhet në draftin e ndryshimeve kushtetuese të PD-së.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re