Të enjten e 2 shtatorit, para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, emri i Ditmir Bushatit u qarkua jo pa qëllim nga kryeministri Edi Rama.

Kësaj here jo për ndonje romuze dhe as për t’i kujtuar se PS-ja i kish dhënë aq shumë atij. Por e kundërta.

Edi Rama nuk e futi në listën e kandidatëve për sekretar apo drejtues qarku njeriun që deri para zgjedhjeve jo vetëm që nuk e përfshiu në listën e kandidatëve për deputet, por i kujtoi se stacioni politik për të kish ndalur.

Nuk ishte iluzion për Ditmir Bushatin as fakti se do ta bënte pjesë të një grupi pune për ngritjen një organizate të re në PS. Jo dhe jo.

Lajmi në fjalën e Edi Ramës ishte se qysh prej largimit të Ditmir Bushatit nga detyra e kryediplomatit, që pasoi përplasje të vazhdueshme qoftë për kufijtë e Kosovës, qoftë për bashkëpunimin e Ramës “me oligarkët” qoftë për të majtën si ideologji, apo edhe mënyrën se si Rama e kish menaxhuar ekonomikisht pandeminë, ai kish bërë një kthim pas.

Rama e përmendi kinse emrin e Bushatit bashkë me Et’hem Rukën apo Lindita Nikollën si pjesë e një grupi pune për ngritjen e Akademisë Politike. Nuk ka rëndësi pozicioni. Por fakti se Ditmir Bushati ishte propozuar apo ftuar për të kontribuuar në PS, aty ku Rama i kishte treguar derën deri para zgjedhjeve.

…Të enjten e 2 shtatorit Ditmir Bushati nuk ishte politikani i do ditëve para zgjedhjeve që ngerthehej me Ramën deri për punëtorët e Bangladeshit dhe as ai që mbante fjalim në Facebook duke kujtuar se po i censurohej në Kuvend.

Bushati kishte një fytyre tjetër kur foli për mediat ironikisht edhe me maskë për arsye të masave antiCOVID.

I sinqertë apo teatral edhe për Ditmir Bushatin situata ne dukje kish ndryshuar

Ditmir Bushati rezultoi kandidati më i votuar nga lista e emrave meshkuj për anëtarë të kryesisë së PS-së.

Paradoksi me sa më sipër ndodhi me kandidatet femra. Më e votuara ishte Belinda Balluku ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë për të cilën Rama nuk i ka kursyer lëvdatat. E dyta pas saj ministrja tjeter, Ogerta Manastirliu.

Pra, Asambleja e PS kish ngritur dorën për qeverinë e re “Rama” por kishte votuar edhe kritikun më të madh në parti të Edi Ramës.

Fenomeni i dyte i votimit të kryesisë dhe gjithë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS ishte lënia jashtë kryesisë e Fatmir Xhafajt.

Fatmir Xhafaj është kandidati që theu listën e qarkut të Tiranës i renditur nga Rama i 23-ti por që mundi të futet në Kuvend vetëm në saj të mbështetjes që ai mori nga elektorati socialist. Ndër deputetët më të votuar në Tiranë me një shumicë të konsiderueshme votash, (mbi 16 mije) ai mbetet jashtë kryesisë, ndërsa brenda saj votohet Ilir Beqja që nuk u votua per deputet (rreth 4 mije vota) në zgjedhjet për qarkun Shkodër duke e lënë atë jashtë Kuvendit.

Votohet me një numër të konsiderueshëm votash  edhe i qejfmbeturi tjetër i Ramës, Pandeli Majko. Ky i fundit nuk mori votat e duhura për deputet, por kaloi shumë lehtë pragun për të qenë anëtar kryesie. Majko nuk bëri asnjë koment në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Madje shmangu cdo kontakt me Edi Ramën.

E njëjta gjë edhe me Erion Bracen. Ky i fundit i votuar në zgjedhjet e fundit për qarkun Fier po i lënë jashtë nga Rama nga cdo strukture drejtuese tjetër e  PS-së. Edhe Brace fiton si anetar kryesie…

Emrat kritizerë ndaj Ramës kanë fituar bindshëm kryesinë, Rama vetë ka marrë votëbesimin e qeverisë me mbështetjen për ministret femra në dikastere kyçe.

Votimi i Asamblesë Kombëtare për kryesinë e re për here të parë ngriti pikëpyetje mbi një votim me dy standarde ku në një organ votohen si kandidatet më të promovuara të Ramës edhe ata më kundërshtarët e flaktë.

A është kjo një taktikë e Ramës për t’i futur në parti të gjithë, pa pasur luksin të mënjanojë asnjë? Edhe Ditmir Bushatin, edhe Pandeli Majkon, edhe Erion Bracen por duke lënë lënë pezull marrëdhënien me një tjetër figurë të rëndësishme për historikun e PS-së Fatmir Xhafaj deri në një zhvillim të dytë?

Kjo mbetet për tu parë. E enjtja e Asamblesë Kombëtare tregoi se Edi Rama edhe pse ka fituar mandatin e tretë qeverisës ai nuk ka luksin të humbasë asnjë prej emrave më në zë në PS. E pranoi edhe vetë. Mandati i katërt është edhe më i vështirë. Dhe Rama sa duket po punon për atë sfidë…Për të tretin ka boll këtë kabinet.

N.Perndoj

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re