Panorama TV ka zbardhur të tjera detaje në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në zonën e Shëngjinit. Gazetari Ervin Leka ishte në vendin e ngjarjes, ku edhe ndodhi krimi i rëndë, ndërsa tregon me detaje si ka ndodhur atentati.

Gazetari Leka sqaron se ndaj Nikulajt është qëlluar 7 herë, ndërsa trupin e tij e kanë prekur 4 plumba, 2 prej të cilëve i kanë dhënë goditjen fatale pasi e kanë prekur në organet jetike.

AUTORI

Ardian Nikulaj ka qenë i ulur brenda ambienteve të lokalit të tij, ku edhe po konsumonte një kafe, kur është afruar një person i veshur si polic, në kokë kishte edhe një skafandër, ndërsa mbante edhe një maskë anticovid.

Autori është futur nga dera e pasme e lokalit, ka qëlluar 7 herë ndaj Nikulajt dhe më pas është larguar përsëri nga dera e pasme.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se autori ka qenë i mirinformuar për mënyrën si do të kryente krimin.

Ai dyshohet se është ndihmuar edhe nga persona të tjerë, të cilët i kanë dhënë edhe informacione se ku ndodhej biznesmeni.

Pas vrasjes ai është larguar me motor dhe vazhdon të jetë në arrati.

PISTAT E HETIMIT

Policia dhe grupi hetimor janë duke hetuar disa pista për vrasjen e Ardian Nikulaj. Një prej tyre është ajo e të shkuarës së tij, pasi disa vite më parë i kanë vrarë edhe të vëllain.

Një tjetër pistë është ajo e lidhjes me politikën. Në vitin 2021, Nikulaj ka qenë kandidat për deputet, ndërsa në zgjedhjet e 14 majit ai ishte në listën për këshillat bashkiakë.

KAMERAT E SIGURISË

Grupi hetimor ka sekuestruar karmat e sigurisë të biznesit të tij, të cilat kanë filmuar të gjitha lëvizjet e autorit. Mësohet gjithashtu se kohët e fundit Nikulaj lëvizte me makinë të blinduar, por do të jetë grupi hetimor që do të hedhë dritë për detaje të tjera.

TË AFËRMIT

Jashtë kamerave, të afërm të viktimës kanë deklaruar se nuk e kanë ditur se nga erdhi sulmi me armë që i mori jetën Ardian Nikulajt. Ata gjithashtu kanë deklaruar se brenda lokalit ka pasur edhe persona të tjerë. Ndërkohë në pyetje janë marrë familjarë të viktimës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re