Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, tha se do të mbështesë këdo që dëshiron të shkojë në Ukrainë për t’u bashkuar me një brigadë ndërkombëtare luftëtarësh kundër Rusisë. Ajo e përshkroi një mision të tillë si pjesëmarrje në një betejë “për liri dhe demokraci”.

Megjithatë, nuk mund të mos pyes veten për ata që janë larguar nga brigjet britanike për të luftuar jashtë shtetit e që u është hequr nënshtetësia nga qeveria britanike. I vetmi ndryshim që mund të shoh midis atyre që duan të luftojnë në Ukrainë dhe atyre që duan të luftojnë në Palestinë, Siri, Libi ose Irak është ngjyra e lëkurës dhe besimi.

Në Kiev jetojnë të paktën 100,000 muslimanë. A do të mbështesë Truss vëllezërit dhe motrat e tyre britanikë dhe evropianë që duan të dalin për të luftuar përkrah tyre në kryeqytetin ukrainas? Ajo i tha BBC -së të dielën në mëngjes se u takonte njerëzve të merrnin vendimet e tyre në situata të tilla; ajo tha gjithashtu se ukrainasit po luftojnë për liri, “jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën.”

Pyes veten, pse demokracia dhe liria janë më të çmuara në Evropë sesa, fjala bie, në Siri, ku diktatori Bashar Al-Assad po përpiqet të shtypë gjurmët e fundit të një revolucioni në të cilin sirianët guxuan të ëndërronin për shtetin e tyre demokratik? Dhe pse palestinezët që i rezistojnë pushtimit brutal të Izraelit demonizohen si “terroristë” dhe shmangen nga Perëndimi “demokratik” dhe me sa duket liridashës? Unë njoh shumë njerëz që dëshirojnë të dalin dhe të bashkohen me palestinezët në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime ndërkohë që ata luftojnë për mbijetesë kundër Izraelit të aparteidit.

Ndërsa presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u kërkon shtetasve të huaj “të bashkohen me mbrojtjen e sigurisë në Evropë”, qeveria e tij është gati të armatosë një legjion “ndërkombëtar” të huajsh vullnetarë që dëshirojnë t’i bashkohen ushtrisë ukrainase në luftën e saj kundër forcave ruse. “Ky nuk është vetëm pushtimi i Ukrainës nga Rusia,” vuri në dukje ai në faqen e tij zyrtare. “Ky është fillimi i një lufte kundër Evropës. Kundër unitetit evropian.”

Udhëheqësit palestinezë kanë bërë deklarata të ngjashme në lidhje me sigurimin e së ardhmes së vendit të tretë më të shenjtë të Islamit, Xhamisë së Al-Aksas në Jerusalem (Kuds), e cila është nën sulm nga forcat okupuese izraelite, duke përfshirë kolonët e paligjshëm. Nëse do të bëhej një thirrje ndërkombëtare për miliona muslimanë në të gjithë Perëndimin për të mbrojtur Al-Aksanë nga planet vrasëse të izraelitëve, a do ta miratonte Sekretarja e Jashtme Liz Truss? Kam frikë se jo. Siç shkrova disa ditë më parë, “kriza në Ukrainë ekspozon hipokrizinë e Izraelit dhe aleatëve të tij sionistë”. Midis këtyre të fundit qëndron Truss dhe qeveria në të cilën ajo ka një rol të lartë.

“Të gjithë ata që duan të bashkohen me mbrojtjen e sigurisë në Evropë dhe në botë mund të vijnë dhe të qëndrojnë krah për krah me ukrainasit kundër pushtuesve të shekullit të 21-të”, tha Zelensky. Tani imagjinoni sikur lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh – zgjedhja demokratike e të cilit si kryeministër palestinez në vitin 2006 u refuzua nga po ata aleatë sionistë – të lëshonte ​​një ftesë të tillë për muslimanët në mbarë botën, dhe Britaninë në veçanti, për të mbrojtur popullin e Palestinës së pushtuar nga Izraeli dhe nga kolozinimi i tij. Mos harroni, aparteidi është i ngjashëm me krim kundër njerëzimit dhe aneksimi i territoreve përmes forcës ushtarake është i paligjshëm; Izraeli është fajtor për të dyja.

Për më tepër, disa nga kolonët dhe ushtarët që forcojnë dhe zbatojnë pushtimin e Palestinës nga Izraeli kanë pasaporta britanike dhe nënshtetësi të tjera evropiane. Por hej, kjo është në rregull mesa duket, sepse ata janë të bardhë dhe hebrenj, ndërsa ata që i kundërshtojnë janë “vetëm” arabë.

Në vitin 2019, vizitova një klinikë për të amputuarit ku fëmijëve të traumatizuar sirianë po u mësohej të ecnin përsëri. Takova mjekë, mësues dhe punonjës të ndihmës mjekësore britanikë të cilëve u është hequr nënshtetësia vetëm pse punonin në Idlibin e kontrolluar nga kryengritësit. Në pamundësi për të çuar përpara një sfidë ligjore kundër vendimit të qeverisë britanike nga një zonë lufte, ata tani janë në një vrimë të zezë ligjore.

Ata nuk kapën armët dhe nuk dolën për të luftuar; ata thjeshtë donin të ndihmonin popullin e zakonshëm sirian në luftën e tyre për demokraci dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë ishte duke përdorur aftësitë që ata kanë. Ata duhet të pyesin të gjithë pse qeveria britanike që ua hoqi pasaportat është gati të mbështesë ata që duan të bëjnë të njëjtën gjë në Ukrainë, madje edhe të marrin armët atje. A mund të ketë ndonjë shembull më flagrant hipokrizie, islamofobie dhe racizmi sesa ai i shfaqur nga Liz Truss dhe, me sa duket, shefi i saj Boris Johnson dhe kolegët e tyre të kabinetit?

Kur njerëzit janë në vështirësi, është natyra njerëzore që njerëzit të duan të ndihmojnë në çfarëdo mënyre që munden. Nuk do të ëndërroja të kritikoja këdo që dëshiron të bashkohet me një brigadë ndërkombëtare për të ndihmuar ukrainasit në luftën e tyre. Por nëse kjo është në rregull, atëherë duhet të jetë gjithashtu në rregull që të tjerët të shkojnë për të ndihmuar popullin e Palestinës, Çeçenisë, Libisë, Sirisë, Jemenit, Kashmirit të pushtuar dhe vendet e tjera problematike.

Në vitet 1930, rreth 60,000 të rinj u larguan nga Amerika e Veriut dhe Evropa për t’u bashkuar me Brigadën Ndërkombëtare, grupe vullnetarësh të huaj që luftuan në anën republikane kundër forcave nacionaliste fashiste gjatë Luftës Civile Spanjolle (1936–39). Ajo që raportohet rrallë është se ndërsa shumë u larguan nga Britania për të luftuar për republikanët, kishte edhe disa që luftuan përkrah fashistëve. Asnjëri nuk u përball me ndonjë problem kur u kthyen në Britani.

Ndërsa Truss dhe Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace këmbëngulin se ushtarët britanikë nuk do të dërgohen në Ukrainë për të luftuar, pozicioni i qytetarëve britanikë që vendosin të bashkohen me brigadën ndërkombëtare duhet të sqarohet. Sekretari i Jashtëm duhet të shpjegojë pse mbrojtja e demokracisë në Ukrainë është e pranueshme, por të ngrihesh kundër tiranëve, diktatorëve dhe regjimeve autoritare gjetkë nuk është. Ne kemi të drejtë të dimë. Për të qënë më të drejtpërdrejtë; këtë kanë të drejtë ta dijnë edhe njerëzit e Palestinës dhe Sirisë së pushtuar. Nëse ukrainasit mund të ndihmohen nga një brigadë ndërkombëtare, pse nuk të ndihmohen edhe ata? /tesheshi.com/

*Autorja është gazetare dhe autore britanike. Ajo shkruan analiza mbi çështjet që lidhen me Lindjen e Mesme, Azinë dhe Luftën Globale kundër Terrorit.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re