Ashtu si një stimulues kardiak (pacemaker), një pajisje mund të lexojë impulset elektrike të trurit që lidhen me lëvizjet dhe t’i korrigjojë në kohë reale.

Kjo pajisje është realizuar dhe testuar te disa majmunë nga një grup kërkuesish të financuar nga fondacioni i Mark Zuckerberg. Qëllimi ambicioz i fondacionit që Zuckerberg e ka krijuar së bashku me gruan është “kurimi i të gjithë sëmundjeve”, me një buxhet prej më shumë se 5 miliardë dollarësh.

Eksperimenti është përshkruar në Nature Biomedical Engineering dhe i hap rrugën terapive të sëmundjeve si Parkinson. Pajisja quhet “Wand” dhe është realizuar nga Universiteti i Berkeley dhe startup-i privat Cortera. “Pacemaker i trurit” mund të monitorojë sinjalin e 128 pikave të ndryshme të trurit, në të cilat janë vendosur elektrodat, duke ndikuar tek to me një shkarkesë. Procesi rregullohet nga një algoritëm i cili ndan sinjalin që vjen nga truri nga sinjali “i kthimit”, i gjeneruar nga vetë pajisja. Në këtë eksperiment, majmunët duhet të lëviznin një “joystick” (telekomandë) për të ndjekur një objektiv në ekran.

“Wand” arriti të kuptojë kafshët para se të kryenin një veprim dhe t’i ndalte me një shkarkesë elektrike. “Kjo pajisje mund të jetë me të vërtetë inovative – shpjegon Rikky Muller, kërkuese në Universitetin e Berkeley dhe bashkëthemeluese e kompanisë, e cila bën pjesë në listën e shkencëtarëve nën 35 vjeç më inovativë – pasi subjekti është plotësisht i lirë të lëvizë dhe pajisja mund të kuptojë se kur mund të ndërhyjë me lëvizje”.

Në të ardhmen, “Wand” mund të gjejë aplikim te një sërë sëmundjesh që prekin lëvizjet, duke përfshirë edhe traumat e shtyllës kurrizore dhe epilepsinë./m

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re