Dënohet me 6 vite e 8 muaj burg 48-vjeçari Sokol Kapinova, i akuzuar për “marrëdhënie seksuale me të mitur, e mbetur në tentativë”. Prokurori Dritan Gripshi kërkoi për Kapinovë 9 vite burg. Ngjarja ndodhi në 18 Qershor 2020 në banesën e Kapinovës, që ngacmoi seksualisht një të mitur 5-vjeçe

Ka përfunduar sot çështja penale në ngarkim të të pandehurit Sokol Kapinova, i akuzuar për veprën penale “marrëdhenie seksuale ose homoseksuale me të mitur, e mbetur në tentativë”, parashikuar nga Neni 100/1-e22 i Kodit Penal.

Sokol Kapinova, 48 vjeç,është përfaqësuar në seancën gjyqësore nga avokati i tij mbrojtës. Prokurori i çeshtjes, Dritan Gritan Gripshi, i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë Berat dënimin e tij me 9 vite burgim.

Sipas prokurorit, akuza në ngarkim të 48-vjeçarit Kapinova provohet nga aktet e ekspertimit si dhe nga provat shkencore dhe ato me dëshmitarë.

Mësohet se gjatë të gjitha seancave gjyqësore ku i pandehuri ka qenë i pranishëm, ai e ka mohuar akuzën dhe nuk ka shprehur pendesë. Trupi i gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Durim Hasa, Matilda Llangozi dhe kryesuesja Entela Gjoni, pasi kanë dëgjuar prerendimet e palëve, e kanë shpallur Kapinovën fajtor dhe e kanë dënuar përfundimisht me 6 vite e 9 muaj burgim ,të cilat do t’i kryejë në burgjet e sigurisë së zakonshme.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në 18 Qershor 2020 në lagjen “Barrikadë” të qytetit të Beratit. E mitura 5 vjeçe u ngacmua seksualisht nga komshiu i saj,48-vjeçari Sokol Kapinova,që rezultoi të ishte i njohur nga banorët e lagjes si përdorues i rregullt i alkoolit.

Edhe pse policia e Beratit nuk dha pas ngjarjes së rëndë asnjë informacion në lidhje me dinamikën e saj, nga burime brenda familjarëve u mësua se 48-vjeçari e kishte gënjyer vajzën 5-vjeçe së bashku me motrën e saj 7-vjeçe me ëmbëlsira dhe kumbulla, duke i futur të dyja brenda në banesën e tij.

Më pas, ai futi në njërën nga dhomat 5-vjeçaren dhe e ngacmoi atë seksualisht. Por, kur e mitura filloi të qajë, ai i la të dalin jashtë, pa menduar se motrat do t’u tregonin prindërve atë çfarë kishte ndodhur në banesën e tij. Nga vizita mjekësore që u krye nga mjekët specialistë rezultoi se 5-vjeçarja kishte shenja të ngacmimit seksual.

48-vjeçari Sokol Kapinova mësohet se rrinte shpesh dhe luante me fëmijët e lagjes në sheshpushimet përpara pallateve, por deri përpara ngjarjes së rëndë askush nga banorët e lagjes “Barrikadë” nuk ishte ankuar për sjelljet e tij ndaj fëmijëve. Ai jetonte i vetëm dhe banorët e lagjes e njihnin atë si një person të alkoolizuar.

(Balkanweb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re