Prokuroria e Tiranës është në pritje të marrjes në pyetje të 26 vjeçarit Avdiol Dobi, i cili rezulton të jetë personi që ka lidhur kontratat në emër të kompanisë DH Albania.

 

Burime nga organi i akuzës thanë për Vizion Plus, se fletëthirrja i është dërguar një ditë pas publikimit të skandalit, por deri më tani, prokurorët nuk kanë një përgjigje prej tij, nëse do të shkojë për të dëshmuar ose jo. Sipas grupit hetimor, nëse Avdiol Dobi nuk paraqitet vullnetarisht në prokurori, do të vendoset shoqërimi i tij i detyrueshëm.

 

26-vjeçari është personi i parë që do të merret në pyetje nga prokurorja Elisabeta Imeraj, dëshmia e të cilit konsiderohet si me rëndësi të madhe për të treguar emrat e personave që qëndrojnë pas tij për kontratat e projekteve të Unazës së Madhe dhe asaj të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të fituara nga kompania DH Albania, pas të cilës dyshohet se qëndron biznesmeni Bashkim Ulaj.

 

Nga verifikimet e kryera nga sistemi TIMS, rezulton që Avdiol Dobi të jetë brenda territorit shqiptar, ndërsa dyshimet janë të ketë kaluar kufirin, në mënyrë ilegale.

 

Pas tij, thanë burimet, pritet të merren në pyetje edhe zyrtarë të Autoriteti Rrugor Shqiptar, zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës, si dhe ata të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike. Në pyetje do të merren edhe noteria e përkthyesja që janë marrë me të gjitha dokumentacionet përkatëse.

 

Deri më tani, prokurorët janë duke kontrolluar regjistrat e sekuestruar për dy tenderat me vlerë 30 milionë euro si dhe kontratat e kryera.

 

Ndërkohë, nga verifikimet e bëra në SHBA, rezulton se kompania ka ndryshuar me qëllim datën e themelimit të saj, në mënyre që të fitonte tenderin 18 milionë euro të lotit të parë të Unazës së Re. Pikërisht këto verifikime, prit t’i vihen në dispozicion edhe hetuesve në vendin tonë.

 

Ndërkohë, gazetari Ylli Rakipi i cili denoncoi skandalin e DH Albania, ka depozituar në prokurori kërcënimet për jetën e tij dhe të familjes që ka marrë përmes postës elektronike dhe telefonit.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re