Gati 25 pasuri të luajtshme e të paluajtshme të Argita e Jamarbër Malltezit, vajzës dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, të sekuestruara nga SPAK për llogari të dosjes “Partizani”, do të vijojnë të qëndrojnë të ngrira.

Gjykata e Posaçme vendosi të hënën të mos cenonte vendimin e marrë me herët prej saj për sekuestrimin e pasurive, si vlerë e barazvlefshme e produktit të veprës penale për të cilat akuzohet Jamarbër Malltezi, “korrupusionit” dhe “pastrimit të parave”.

Vendimi u dha nga treshja gjykuese, që shqyrton dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme. Pasi dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve ligjorë të bashkëshortëve Malltezi, gjykata vlerësoi se kërkesa ishte e pambështetur në ligj e në prova.

Në këtë proces, kërkuesit pretenduan kthim të sendit të sekuesturar, me arsyetimin se vlera e pasurive të bllokuara nuk ishte e ekuivalente me dyshimet e SPAK dhe se disa prej pronave janë bashkëpronësi e Argita Malltezit, e cila nuk ka asnjë barrë penale në këtë çështje.

Pasuritë e familjarëve të ish-kryeministrit Berisha u bllokuan me vendim gjyqësor në tetor 2023 në të njëjtën kohë kur ndaj Jamarbër Malltezit u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”, masë që e vuajti një muaj, derisa ndryshoi në masë më të butë. Mes pasurive që nuk mund të tjetërsohen janë 16 apartamente, disa llogari bankare dhe kuotat e tij në disa shoqëri tregtare.

Gati një orë pas rrëzimit të kërkesës së Malltezit, e njëjta trupë gjykuese shtyu për më 10 nëntor seancën e radhës të shqyrtimit paraprak të dosjes “Partizani”, për shkak të mungesës së një prej avokatëve në proces. (A2 
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re