Sot në Parlament,  kreu i këtij institucioni Gramoz Ruçi i ka kërkuar llogari kreut të Këshillit të Lartë Gjyqësor të shpallë urgjentisht vakancat për Gjykatën e Lartë.

Gjatë raportimit në Kuvend të Kreut të KLGJ-së Naureda Llagami, Ruçi tha se mungesa e Gjykatës së Lartë, nga e cila varet edhe plotësimi i Kushtetues, po vë në pikëpyetje procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Llagami nga ana e saj gjatw raportimi tha se problem për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë është mungesa e kandidatëve, pas shkarkimeve të shumta nga Vetting-u. Sipas Llagamit, shumë pak gjyqtarë që kanë kaluar Vetting-un plotësojnë kushtet ligjore për të kandiduar për Gjykatën e Lartë.

Në fakt ky është një problem bazik i Reformës në Drejtësi, i dalë që në vitin 2016 kur është përgatitur drafti që parashikonte një skartim masiv të gjyqtarëve aktualë nga sistemi.

Kriteret e forta, ku si bazë e rëndësishme është edhe përvoja brenda gjyqësorit, ishin që në fillim një handikap se ku mund të gjenden gjyqtarët që mund të rimbushin sistemin e pastruar.

Debati është zhvilluar edhe para disa vitesh, ku nga njëra ana opozita akuzonte mazhorancën se po vendos kritere që të sjellë në sistem gjyqtarët e komunizmit, nga ana tjetër PS-ja akuzonte opozitën se po bllokon instalizmin e reformës në drejtësi.

Por mazhoranca në radhë të parë, kur e priste këtë ngërç aktual ku janë bllokuar jo vetëm gjykatat e larta të sistemit por edhe ato bazike për mungesë njerëzish, nuk mori asnjë nismë për ta zgjidhur këtë problem.

Propozimet kanë qenë të shumta, që ta hapnin sistemin ndaj juristëve shqiptarë që punojnë jashtë shtetit, duke vendosur kuota të mira motivimi, apo edhe nga juristët e tjerë që për arsye më shumë politike nuk janë futur gjithë këto vite në sistemin gjyqësor.

Ky sistem ka qenë i mbyllur në një qerth të lidhur ngushtë me politikën, e cila nëpërmjet KLD-së bënte emërimin e gjyqtarëve në sistemin e vjetër.

Në Shqipëri ka shumë jurist që punojnë në ente, ndërmarrje, kompani private apo edhe avokatë të lirë në profesion, të cilët mund të bënin shumë mirë gjyqtarin.

Kjo kujtesa “pas akshamit” ngjan më tepër si “larje duarsh” alla Ponc Pilati, sesa një vullnet  i qartë për të zgjidhur këtë handikap të gjyqësorit.

Gjatë seancës së sotme, në Kuvend ka paraqitur raportin vjetor edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kreu i këtij Komisioni Gent Ibrahimi tha se momenti më i rëndësishëm i punës së KLP është ngritja e Komisionit që do të ushtrojë Vetting të përhershëm për prokurorët gjatë gjithë karrierës së tyre, edhe nëse ata kanë kaluar sitën e procesit aktual të rivlerësimit.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re