VALENTINA MADANI/ Për ish-ministrin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, vonesat në sistemin gjyqësor nuk janë vetëm shkak i vakancave të krijuara nga vetingu, por edhe rezultat i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por, Xhafaj nuk kursen kritikat ndaj gjyqtarëve, ku sipas tij, një shembull konkret është zvarritja e çështjes së PDsë. Këto kritika Xhafaj i shoqëroi me kërkesën për të reformuar mënyrën e monitorimit të institucioneve të pavarura, e më konkretisht, atyre të drejtësisë që të jenë më eficiente në punën e tyre, duke i ofruar si shembull SPAK.

“Ne flasim për një numër të madh çështjesh, për ‘back log’ të jashtëzakonshëm. Është e vërtetë se një pjesë është krijuar nga vakancat për shkak të vetingut, por është po aq e vërtetë se po të kishte një analizë, do të dilte se një pjesë e kësaj situate krijohet për shkak të zvarritjes së tyre në hetim e gjykim. Ashtu siç ndodh në rastin e PD-së. Prej muajsh të tërë, vite të tëra zgjaten çështje që janë sensitive, që janë të paarsyeshme. Nuk ka të bëjë me vakancat, ka të bëjë me përgjegjshmërinë”, deklaroi ish-ministri i Drejtësisë.

Këto kritika Xhafaj i shoqëroi me kërkesën për të reformuar mënyrën e monitorimit të institucioneve të pavarura, e më konkretisht, atyre të drejtësisë që të jenë më eficiente në punën e tyre, duke i ofruar si shembull SPAK.

“SPAK me gjithë problematikat po perfomon shumë mirë dhe meriton shumë vlerësim në disa aspekte. E kam thënë edhe në vitet e mëparshme, strukturat përkatëse këtu në Kuvend duhet të reformojë të gjithë punën e saj. Nuk ka pse struktura e monitorimit të mbështetet te raport”, tha z.Xhafaj.

SHTYRJA

Gjykata e Tiranës shtyu sërish dje seancën për shqyrtimin e kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD. Përfaqësuesi ligjor i Bardhit, Marash Logu, tha se Basha nuk është faktikisht kryetar i PD dhe ky është absurd ligjor dhe faktik.

“Sot Gjykata e Lartë është një gjykatë në vlerësim të ligjit. Seanca e sotme u shty për më 30 prill. Në kohën që u kërkua ky vendim, nuk i është vënë në dispozicion Gjykatës së Tiranës. Zbardhja e vendimit në Gjykatën e Lartë mori kohë. Presim një reflektim dhe një gjykim të drejtë. Lulzim Basha nuk është kryetar i PD dhe nuk mundet që drejtimi i PD, legjitimitet i forcës opozitare në vend, të varet nga një vërtetim që merret me 200 lekë. Është një çështje absurdi. Ndaj zoti Bardhi kërkoi që emri i Bashës të fshihej si kryetar i PD. Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD”, tha ai.

Sekretari për reformën zgjedhore dhe përfaqësuesi ligjor i PD, Rezart Kthupi, në një reagim pas vendimit të Gjykatës së Tiranës tha se gjykata mori dy vendime.

“Për të qartësuar mjegullën e mashtrimeve dhe dezinformimeve në lidhje me procesin e sotëm gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, kjo e fundit vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, me qëllim verifikimin e legjitimitetit (të drejtës për t’iu drejtuar gjykatës) të të ashtuquajturit “mbledhje ‘online’ e Këshillit Kombëtar” të përfaqësuar nga shtatë deputetë”, u shpreh ai.

Kthupi theksoi gjithashtu se, gjykata vendosi tërheqjen e vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 27 dhjetor në kopje të njëjtë me origjinalin.

“Vetëm nëse pala kërkuese, e ashtuquajtura ‘mbledhje online e Këshillit Kombëtar’, ia del të provojë përpara gjykatës se ajo e gëzon të drejtën t’i drejtohet gjykatës do të mund të fillojë procesi gjyqësor”, tha Kthupi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re