Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, tha se “aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”.
Për këtë arsye ai tha se ka ftuar në takim krerët e partive politikë të përfaqësuara në Kuvend për të shtunën në orën 16:00.
“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Gjykata Kushtetuese të enjten ka vendosur se deputetët e legjislaturës së re janë të obliguar që jo më vonë se brenda 30 ditësh ta përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke i zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.
Deputetët e zgjedhur në procesin elektoral të 9 shkurtit, që nga 15 prilli janë mbledhur çdo dy ditë në Kuvend për të dështuar në 37 përpjekje për votimin e kryetarit dhe të nënkryetarëve, që konsiderohen hapa finalë për konstituimin e legjislaturës së re.
Në aktgjykimin e publikuar të enjten për kërkesën e adresuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rreth çështjes së kalimit në votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit, Kushtetuesja ka konstatuar se seanca konstituive e nisur më 15 prill dhe vazhdimet e saj nuk janë zhvilluar në pajtim me Kushtetutën. Në aktgjykim, kjo gjykatë ka konstatuar se afati prej 30 ditësh për konstituimin e legjislaturës së re është akt kushtetues, i cili duhet që të përmbushet me sukses nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve.