Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur me një pacient nga Ferizaj, i cili ka shkuar në Maqedoninë e Veriut për të operuar gjurin.

Pacienti Remzi Toçilla pasi kishte bërë të gjitha ekzaminimet për të operuar gjurin e majtë, e bëri edhe ndërhyrjen. Por, pasi i doli anestezia rezultoi se në të vërtetë kishte operuar gjurin e djathtë.

Gazetari nga RMV, Furkan Saliu raportoi në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se spitali që i operoi këmbën gabimisht pacientit nga Kosova i ofroi operacion falas për këmbën e dëmtuar gjë që nuk është pranuar prej tij.

“Është një gabim i mjekut, madje është pranuar nga ekspertiza dhe superekspertiza, madje është pranuar nga vetë mjeku dhe është një proces gjyqësor dhe për 2 vjet nuk ka lëvizur asgjë. Pacienti i ka ndjekur të gjitha procedurat. Spitali ka mbi 10 vjet në treg, po nuk duhet parë si biznes i thjeshtë se është edhe pjesa njerëzore dhe etike. Pacienti nuk ka pranuar që ta operojë këmbën tjetër edhe pse ja kanë ofruar dhe tashmë është në proces gjyqësor me spitalin”, tha gazetari.

Toçilla ka thënë se mjekët në këtë spital ia kishin operuar gjurin e këmbës së djathtë, në vend të së majtës, ani pse në fund rezultoi sipas tij se nuk kishte pasur nevojë që të kryente operacion për asnjërën prej tyre.

“Pas operimit, pasi më kaloi anestezioni, e pashë që nuk ishte këmba e majtë, por e djathta. I thash mjekëve çfarë u bë kështu, mjeku më tha: E operova, sepse e vërejta që ke tentu ta mbrosh këmbën e majtë, dhe e ke lënduar të djathtën dhe vendosa ta operoj. I pyeta se si mund të ndodh pa ndonjë analizë, e më tha ashtu vendosa dhe pas tri jave ta bëjë dhe të majtën”, tregon Toçilla për PortalX.

“Të gjithë familjarët u habitën”, shton ai.

Madje, sipas tij, spitali kishte një “ofertë” për të, t’ia operonte falas këmbën e majtë.

“Jam konsultuar me një mjek tjetër, e më ka thënë shyqyr që s’ta kanë bërë edhe këmbën e majtë. Më mirë, kanë tentuar të bëjnë diçka por s’kanë bërë asgjë. Të kisha propozuar mos bëjë asnjë intervenim tjetër”, tregon Toçilla.

“Për atë operacion kamë paguar 1700 euro”, tregon tutje qytetari nga Ferizaj që u operua në këtë spital.

Në anën tjetër, nga spitali privat Sistina kanë thënë rasti është në procedurë gjyqësore, dhe nuk mund të flasin.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re