Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes të rëndë të ndodhur në komisariatin e Kavajës ku u gjet i vetëvarur brenda qelisë së tij, 31 vjeçari Ilvi Meta.

Në njoftimin zyrtar thuhet se drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano ka dërguar një grup inspektimi në komisariatin ku ka ndodhur ngjarja në mënyrë që të bëjnë verifikimin lidhur me zbatimin e rregullave dhe procedurave të duhura sa i përket shoqërimit të personave të dyshuar mbi një vepër penale.

Reagim i Policisë së Shtetit

Lidhur me ngjarjen e ndodhur sot, në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku në dhomat e sigurisë u gjet pa shenja jete, shtetasi I. M., i dyshuar si i vetëvarur, i cili ishte ndaluar mesditën e sotme, informojmë se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dërguar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë, një grup inspektimi, të përbërë nga specialistë të Departamentit të Sigurisë Publike dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar nëse janë zbatuar ose jo procedurat standarde për sigurinë e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë.

Veprimet hetimore po kryhen nga një grup i posaçëm hetimor i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Policia e Shtetit nuk është pjesë e këtij hetimi.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar dhe e interesuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re