Spitali “Shefqet Ndroqi” i shprehu sot ngushëllimet familjes së 65- vjeçarit, L.S i cili i dha fund jetës së tij pak minuta pas mesnate duke u hedhur nga lartësia e Sanatoriumit, ndërsa sqaroi se për rastin në fjalë ka nisur një hetim. Spitali “Shefqet Ndroqi”, në një njoftim për mediet këtë të hënë, bën të ditur se stafi i spitalit është në shërbim 24 orë në shtatë ditë, duke mos u kursyer për asnjë pacient.

“Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 65-vjeçarit me inicialet L.S, i cili i dha fund jetës mbrëmjen e sotme dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij në këto momente të vështira”, thuhet në njoftim.

“65-vjeçari ishte shtruar një ditë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit. Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se po vijon të jetë në shërbim 24/7 për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë”,- thuhet në njoftim.

Polica e Shtetit njoftoi më herët se “rreth orës 00:30, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali shtetasi L.S 65 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re