Ngjarja e rëndë që u regjistrua ditën e djeshme në kanalin e La Manshit, ku 4 persona humbën jetën dhe 43 të tjerë u shpëtuan dhe ndodhen në spital pas përmbytjes së gomones, ka shkaktuar një reagim të madh në klasë politike në Britani por edhe tek qytetarët.
Një hapësirë të veçantë mori edhe në vendin tonë ky lajm dhe kjo jo vetëm për faktin se mes të shpëtuarve ishte edhe një shqiptar, por edhe sepse janë në numër të shumtë ata që tentojnë të largohen.
Avokati Naim Hasani në një intervistë për emisionin Vizioni i Pasdites me Brikena Priftin tha se deri tani, nga ana e autoriteteve britanike ka një mungesë informacioni për personat që janë në spital.
“Sot ka pasur më pak informacione për kombësinë e personave që kanë humbur jetën. Po ashtu ka një mungesë informacione edhe për personat që janë në spital. Dihet që një pjesë e tyre janë në gjendje kritike dhe nuk i dihet se si do shkojë fati i tyre”, tha avokati.
Ai shtoi më tej se situata është tejet alarmante, ndërsa ja reaguar me tone të ashpra ndaj grupeve që merren me trafikimin e qenieve njerëzore.
Avokati i cilësoi ata si njerëz pa shpirt, që në temperatura të ulta që po kalon Anglia, nxjerrin njerëzit në det të hapur.
“Jemi një vit nga tragjedia e fundit ku humbën jetën 27 persona. Është fat që nuk kemi incidente më të rënda. Të kalosh kanalin e La Manshin në një kohë kur Britania ka temperatura shumë të ulta. Kriminelët që ushtrojnë këtë aktivitet nuk kanë shpirt, duke i nxjerrë njerëzit në këtë gjendje. Është një situatë alarmante.
Kombësia e atyre që ishin duke u bazuar nga pamjet, më së shumti ishin nga lindja e mesme. Një nr i madh i tyre janë edhe shqiptarë. Ata që marrin një rrugë të tillë janë njerëz të dëshpëruar. Është dëshpëruese që shqiptarët të kalojnë kanalin e La Manshit pas 32 vitesh demokraci”, tha Hasani.
Avokati deklaroi se ngjarja e djeshme do të lërë një gjurmë të madhe dhe të gjatë në kohë, jo vetëm për personat që janë lënduar, por për shumë të tjerë që shikojnë emigrimin si rrugëzgjidhje.
“Jo vetëm ata që janë lënduar nga ky incident, por kjo do lërë gjurmë të rënda dhe të gjata për shumë emigrantë dhe azilkërkues, të cilët lënë vendet e tyre.
Është një dramë e madhe që po përjetohet në kufirin mes Francës dhe Britanisë.
Autoritetet e këtyre dy shteteve duhet të bashkëpunojnë për të shkëputur zinxhirin këtyre grupeve kriminale që nxjerrin njerëzit në këtë mënyrë”, tha avokati Naim Hasani.
