Deputeti socialit Petro Koçi, i ftuar në studion e “News 24”, u shpreh se fjalimi i kryeministrit Edi Rama nuk kishte objektiv Albin Kurtin, por situatën në veri.

Koçi tha se ngjarja në Banjskë ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku, në planin diplomatik, i shërben Kosovës dhe duhet ta shfrytëzojë.

“Fjalimi i Ramës në Kuvend nuk kishte në objektiv Kurtin, por ngjarjen. Një pjesë vjen për shkak të dredhërisë serbe, Europa e ka frikë prorusizmin serb dhe Vuçiç luan me këtë. Një pjesë e përgjegjësisë është e vetë qeverisë së Kosovës, një lloj kokëfortësie në lidhje me dialogun dhe ftesat që ka bërë dhe BE në mbështetje të Uashingtonit. Tani pas sulmit jemi në një tjetër situatë, ku vdiq një polic. Kjo ngjarje krijoi një avantazh për Kosovën dhe duhet ruajtur. Nëse fillon e njëjta sjellje nga qeveria Kurti, shkojmë prapë atje ku ishin. Duket qartë që sulmi është mbështetur nga Beogradi. Menjëherë fokusi i përgjegjësive kaloi te Serbia.

Kur thotë Rama “nomans land”, pse duhet të thuhet se e tha për Kosovën. Ai nuk tha për përkatësi e pronësi shtetërore, por për kapacitetin e munguar administrativ dhe kontrollues. Pse vrapon politika e Tiranës dhe Prishtinës ta përkthejë gabim?! I gjithë problemi në Kosovë është mungesa e kontrollit dhe administrim të plotë në Kosovë. Kjo vjen sepse Beogradi ka përdorur serbët në veri të mos jenë bashkëpunues dhe i udhëzon të bëjnë rrëmuja e protesta. Kjo është një situatë që kërkon zgjidhje”, tha Koçi.

Deputeti foli dhe për marrëdhëniet mes Kurtit dhe Ramës, të cilat i cilësoi të shkrira.

“Nuk e besoj. Mendoj që duhet të jenë marrëdhënie plotësisht të shkrira. Po të ishin të ngrira do të ishte një lajm i keq. Përderisa Kurti do vijë në Tiranë më 16 tetor, dhe përderisa Rama e duartrokiti shkuarjen e Kurtit në Athinë, marrëdhëniet s’mund të jenë të ngrira”, tha Koçi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re