Vrasja e 50-vjeçarit Pëllumb Meta nga fëmijët, një ngjarje e cila tronditi gjithë opinionin publik shqiptar ishte tema që u diskutua nga të ftuarit në emisionin “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.

Ish-deputetja Elona Gjebrea deklaroi se kjo është një ngjarje ulëritëse ku tregon se në çfarë gjendjeje është shoqëria dhe familja shqiptare. Ajo theksoi se duhet rritur më shumë edukimi i familjes por edhe i shoqërisë që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Në të njëjtën linjë ishte edhe sociologia Eris Dhamo. Ajo theksoi se kjo është vërtetë një situatë ulëritëse, pasi shoqëria shqiptare duket në krizë.

Pjesë nga biseda:

Pranvera Borakaj: Pretendohet se kishte dhunë, përse nuk u denoncua?

Elona Gjebrea: E çuditshme që nuk e kanë denoncuar, por këtu futet frika.. Nëse flasim për dhunë futen të gjithë faktorët, që janë ai ekonomik. Kthehemi te biseda që bëhet sa herë kemi biseda të tilla flasim për rolin e familjes, shtetit, komunitetit, del dhe njëherë nevoja e komunitetit, punës, familjes, punonjësit social të cilët duhet të jenë dhe më prezent, pasi bëhet fjalë për izolimin e një familjeje, që kanë çuar dhe në atë vendim fatal, vrasja dhe fshehja më pas. Është për të ardhur keq, pasi për dhunën flitet, për dhunën shpenzohen para, bëhen fushata për punën në komunitet, por ja që vjen një moment i tillë. Ndihemi vërtetë shumë keq, bëhet fjalë për të rinj. Ajo vajza është studente me dy vëllezër, të rinj që kanë një nivel të caktuar arsimor dhe arritën në këtë gjest, jam pa fjalë. Padyshim që kanë ndodhur abuzime në atë familje, nga babai dukshëm, por nga ana tjetër kemi të bëjmë me një fenomen që duhet trajtuar me shumë kujdes. Do duhet të reflektojmë dhe analizojmë duke parë më ndryshe. E përsëri familja dhe autoriteti janë shumë të rëndësishme, duhet të ketë dhe një shkundje të të gjithë sistemit.

Pranvera Borakaj: Ke të drejtë në atë pjesën që thua që duhet trajtuar me shumë seriozitet, jep mësim në një pjesë të vogël të qytetarëve.

Eris Dhamo: Ky është një element ulëritës për çfarë kemi bërë deri tani, është hera e parë që anëtarët e tjerë të familjes organizohen kundër një anëtari, por jo të organizimit të të gjithë pjesës së familjes ndaj një individi. Kemi kapërcyer pritshmëritë tona si shoqëri. Kemi të bëjmë me një situatë të vazhduar tensioni brenda familjes, por prapë kjo nuk justifikon faktin që një i rritur apo një nënë, e cila duhet të jetë aty për përkujdesjes nuk gjeti mënyrën se si të adresonte këtë konflikt. Jo për të viktimizuar, por për të bërë apel sot që secili nga ne duhet të bëjë aq sa mundet për të parandaluar krime të tilla. Familja është qeliza bazë e shoqërisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re