Një ngjarje tragjike ndodhi në orët e para mëngjesit (rreth orës 5:50) në një pallat në zonën e Astirit. Në banesën e Hava Osmënajt ra zjarri. Gruaja në moshë 62 vjeçe arriti t’i shpëtojë flakëve duke dalë nga dera e shtëpisë, por kur pa se i biri nuk kishte dalë, hyri sërish nën flakë.

Faktin e konfirmon një fqinje, e cila dha prononcim për median.

“Gruaja ishte duke shpëtuar, doli tek dera, por nuk dëgjoi u kthye me marrë djalin. Bëri thirrje, ndihmë, ndihmë. Djali nuk dilte se thoshte kam frikë policinë. Kur u kthye e mbuloi flaka dhe doli nga ballkoni”-tregoi fqinja.

Klodiani, 36 vjeçar, mendohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Dyshohet se ishte ai personi që ndezi zjarrin edhe pse kjo pistë mbetet për t’u konfirmuar nga autoritetet dhe hetimi.

36 vjeçari po qëndronte në ballkonin e banesës, ndërsa flakët kishin mbështjellë apartamentin në katin e tretë.

62 vjeçarja ka mbërritur tek i biri dhe në pamundësi për t’i shpëtuar flakëve, janë hedhur nga kati i tretë. Si pasojë e lartësisë të dy kanë marrë plagë të rënda. Fatkeqësisht gruaja ka ndërruar jetë në spital, ndërsa i biri është i lënduar rëndë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 05:55, në Astir, ka rënë zjarr në katin e 3-të një pallati. Dyshohet se në pamundësi për të dalë jashtë gjatë kohës së zjarrit janë hedhur nga lartësia( dritarja) shtetasja Hava Osmenaj, rreth 62 vjeçe dhe djali i saj Klodjan Osmenaj, 36 vjeç. Si pasojë ka ndërruar jetë shtetasja Hava Osmënaj, ndërsa shtetasi Klajdi Osmënaj, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re