Një pamje e pazakontë e një drejtuesi mediaje në Shqipëri, i cili teksa shëllehej nën diell duke qenë mbi një dyshek uji kishte dhe dy truproja anash, bëri xhiron e rrjetit. Ishte tipike prej atyre vetfryrjeve të lumpenit shqiptar të shndërruar sa hap e mbyll sytë në zengin, fenomen që ka shoqëruar mbi një çerekshekulli tranzicionin. Edhe në pastë qenë një sajesë, një fake news vizual, Ylli Ndroqi i Ora News, personazhi në foto, njihet për shenjtërimin e vetvetes edhe nëpërmjet elementit-badigard. Ai, si dhe media e tij, janë të vetmet në këto vite me badigard te hyrja.

Ky është një prej shfaqjeve të pushtetit të katërt në Shqipëri, që ka dhe ajo, porsi politika, personazhet e saj që diktuan mendimin publik ndër vite.

Le të kujtojmë ca, duke ia nisur me shtypin e shkruar, pararojë e tranzicionit.

Padyshim që Koha Jonë e Nikollë Lesit, është ajo që bëri historinë në vitet e para. Lesi, një kombinim i inteligjencës që endej mes metropolit dhe provincës, ardhur nga shkolla lezhiane e komunikimit, u investua në krijimin e një kaste gazetarësh që falë me shumë se profesionalizmit, babaxhanllëkut të Lesit, sportivitetit të tij, arritën të bëhen pena të afirmuara.

Paraelel me të ishte Karlo Bolino me Gazetën Shqiptare. Gazetari i ANSA-s, njohës i thellë i lajmit, ka qenë e mbetet njëherësh një menaxher i shkëlqyer për të ndërtuar, drejtuar e më pas faktorizuar një media. “Babai” i News 24, themeluar në vitin 2001, ai arriti të ndërtojë një ekran-lider në informim, duke kombinuar koston e ulët me rendimentin maksimal.

Që të dy, si Lesi e si Bolino, mbeten shkolla gazetarie.

Në ato vite, ishin dhe vëllezërit Nazarko që do bënin përçapje për t’u futur në treg, me kostumin e tyre pak më tepër intelektual, duke themeluar Dita Informacion, por që edhe vite më pas u “dënuan” për të qenë zjarre që ndizeshin fuqishëm, pa mundur të flakëronin në vazhdimësi. ABC-ja e tyre javore pas viteve 2000, mbetet një ndër produktet më të arrira të gazetarisë së shkruar ndër vite.

Më pas do të vinte Shekulli i Koço Kokëdhimës. Pavarësisht profilit plot dritëhije të këtij personazhi tranzicioni, Shekulli i tij që nisi udhë nga pas 97-ta, u bë një ndër tribunat mediatike më cilësore në shtypin e shkruar, gjithashtu shkollë më vete. Është ndër ato punë të Kokëdhimës për të cilën i duhet “hequr kapelja”.

Ndërsa në median vizive, startin do e kishte sërish një lezhian, Aleksandër Frangaj, i cili së bashku me Marsel Skëndon e Zhuljen Rosh, themeluan Klan-in, aty nga viti 1998, ndonëse para tyre ishte TV Shijaku, që sido-sido nuk u bë kurrë metropolitan e mbeti gjithëherë periferik.

Në vite Klan-i u njesua me emrin e Frangajve, të cilët u bënë dhe personazhe të penës së hidhur të Mero Bazes, në një kontekst politik. Pa ndonjë rrezatim në sferën e mendimit, aq më pak intelektual, Aleksandër Frangaj ka “shkëlqyer” vetëm te aspekti pragmatik, ku dhe Klani i tij nisi të ofronte ngjyrime avangardë pas një ngjizjeje të hapur me pushtetin e Berishës, që u reflektua në financa të fuqishme.

TVA- TeleArbëria që sot nuk ekziston më, ishte një prej ekraneve që bën historinë e fillimeve të medias vizive, duke patur si themelues një personazh pa asnjë lidhje me median, Ardian Taka, presidentin aktual të Skënderbeut, që vinte nga bota e futbollit, ndonëse me një karrierë të lënë në mes. Nën menaxhimin e Ardit Gjebresë si drejtor i Përgjithshëm, ku televizioni bëhet dhe me një tjetër bashkëpronar, Artan Sevrani, një biznesmen pijesh, TVA arriti disa kulme, në informim e spektakël, duke patur dhe emra si Enkel Demi e Artur Zheji, e folëse si Monika Stafa.

E në ndërkohë, në eter po paralajmërohej revolucioni TOP. TopAlbaniaRadio, e themeluar në shkurt ’98, po trondiste tregun mediatik. Emri i Dritan Hoxhës, Tanit me flokët bisht që endej me një 3000 benzine me motor jashtë serie, kishte nisur të qarkullonte si personazh befasues në media. Radioja e themeluar prej tij, ishte një mrekulli e informimit audio. Pak më vonë, njeriu që zotëronte talentin e lindur për ta njohur në rrënjë median, e ndërtuar një të tillë, do tentonte të futej në ortakëri me pronarët e TVA-së, për ta pasur dhe një ekran pas radios, derisa vendosi që të themelonte një të të ri, tërësisht të tijin, Top Channel. Tan Hoxha ka qenë prerja e pangjashme me asnjë prej pronarëve të medias. Njohës i shkëlqyer i teknologjisë, kreativ dhe vizionar, ai arriti të diktonte standarte në çdo zë të medias. Nuk ka qenë thjesht çështje parash por standartesh, të cilat burojnë nga talenti i lindur. Sportiv në natyrë dhe tejet shoqëror në komunikim, “badigardët” e tij ishin pasioni për makinat. Një Bentley, Ferrari që i morri jetën dhe Lamborghini që nuk e gëzoi kurrë, ishin pika e dobët e tij, edhe në kuptimin e drejtpëdrejt të fjalës.

Një fenomen më vete ka qenë dhe Vizion Plus i Dulakëve. Televizoni që nisi si Gjeli Vizion, ku si staf fillestar, teknik apo gazetaresk, pati anëtarë të stafit të shërbimit të Restorant Gjelit, vendosur fillimisht në një papafingo, hyri në treg me impaktin e fortë vizual të siglave grafike. Pak pas themelimit, Gjel dhe Vizion ndahen, e ky i dyti nën drejtimin e Dulakëve nis faktorizimin në treg me ndihmën e disa emrave me përvojë. Eshtë televizoni ku ka pak nga “diktati artistik” i pronarëve  – si vëllazëri, ku menaxhimi i është lënë njërit, Genc Dulakut – pasi çdokush ka patur shansin të diktojë në pavarësi aftësinë apo vizionin e tij, në varësi të fushës që ka mbuluar.

Dhe për ta mbyllur aty ku e nisëm, tek Ylli Ndroqi i Ora News. Është televizoni që u themelua si aneks informativ i Klan-it me modelin e News 24, aty nga viti 2006. Iu besua një njeriu të ardhur nga media e shkruar, Alfred Pezës, që më pas u ble nga Ylli Ndroqi, deri në atë kohë pak i njohur ndër parelinjtë e tranzicionit shqiptar. Pa ndonjë standart në dukshëm në trendin e komunikimit, as në atë të brumit informativ apo atë të estetikës vizuale, risi qe shkëqimi i jashtëm; lule, ngjyra, infrastrukturë e superstrukturë, dhe …badigardë!

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re