Pamjet dhe videot që qarkullojnë në mbarë botën janë tronditëse dhe tregojnë shkatërrimet e shkaktuara nga tërmeti 7.8 Rihter në Turqi dhe Siri. Në plan të parë janë shpëtimtarët të cilët me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion – edhe me duar të zhveshura – po krehin mbeturinat e ndërtesave, duke u përpjekur të gjejnë të mbijetuar dhe t’i nxjerrin nga rrënojat.

Por ka edhe imazhe që kur i sheh nuk i mban dot lotët. Një baba mban dorën e vajzës së tij të vdekur në rrënojat e një ndërtese në qytetin Kahramanmaras. E gjithë kjo ndërkohë që ekipet e shpëtimit dhe bashkëqytetarët po përpiqen të lokalizojnë njerëzit të gjallë.

Mesut Hancer, i ulur mbi një grumbull rrënojash që ishte shtëpia e tij deri vetëm 24 orë më parë, mban për dore vajzën e tij 15-vjeçare, Irmak, e cila është e shtrirë në shtratin e saj, zënë poshtë nga një masë betoni. Siç vihet re qartë, vajza nuk ka arritur të shpëtojë. Siç vë në dukje gazeta britanike, epiqendra e tërmetit të parë ishte qyteti i Pazarxhikut në juglindje të Turqisë. Pas disa orësh, pasoi tërmeti i dytë me magnitudë 7.7 Rihter, duke rrëzuar atë që kishte mbetur në këmbë nga i pari.

Në të njëjtën kohë, në një lagje tjetër të qytetit, ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin gjallë dy fëmijë të vegjël. Madje, për të arritur në vendin ku kanë mbetur të bllokuar dy fëmijët, kanë kërkuar nga ata që ndodheshin aty të heshtin që të dëgjojnë thirrjet e fëmijëve për ndihmë.

 

Nga ana tjetër, siç raportohet nga Associated Press në anën tjetër të kufirit, konkretisht në Sirinë, një burrë është kapur në kamera duke mbajtur një vajzë të porsalindur në krahë teksa largohet nga grumbulli i rrënojave ku ka përfunduar një ndërtesë dykatëshe. Foshnja ka lindur pikërisht aty. Por nëna nuk ka jetuar dot.

Fatkeqësisht, vogëlushi nuk do të njohë asnjë anëtar tjetër të familjes së tij pasi përveç nënës, babai dhe vëllezërit e tij humbën përgjithmonë në rrënojat e shtëpisë së tyre…/tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re