Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, në një prononcim për media në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se u arrit dakordësia me mazhorancën socialiste për objektin e hetimit të Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, ndërkohë që bëri me dije nuk ka një dakordësi për inceneratorët.

Rushaj bëri me dije se mazhoranca është kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për çështjen “Bechetti”, por theksoi se Partia Demokratike do të përdorë çdo mjet për ngritjen e këtij komisioni.

“Ka një dakordësi për objektin e hetimit për Komisioni Hetimor për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, sipas propozimit që ne bëmë. Nuk ka një dakordësi për inceneratorët dhe ndërkohë që duket se ka një dakordësim nga mazhoranca për të mos ngritur një Komision Hetimor për çështjen “Bechetti”.

Justifikimi për këtë është një letër nga Avokati i Popullit. Socialistët justifikohen se ngritja e këtij komisioni është kundër interesit të Shqipërisë, por ngritja e Komisionit është vetëm kundër interesit të Edi Ramës. Ne nuk do ta pranojmë këtë dhe do bëjmë çdo gjë për ta ngritur këtë Komision Hetimor”, tha Rushaj.

Gjithashtu Rushaj nënvizoi se Partia Demokratike nuk ka marrë asnjë propozim nga askush për vetingun dhe do ta diskutojë këtë çështje kur t’i vijë koha.

“Ne nuk kemi marrë asnjë propozim nga askush për vetingun. Ne do të kemi qëndrim kur të kemi një propozim, të rëndësishme për ne janë interesat e shqiptarëve. Strategjitë si do të negociojmë do të paraqiten në momentin e duhur.

Ne jemi të gatshëm, e ripërsëris që nuk kemi marrë ndonjë kërkesë deri më tani, por jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje që u takojnë interesit të shqiptarëve si sistemi zgjedhor”, tha Rushaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re